Lajme

Protestë në Mal të Zi – në mbështetje të serbëve në veri të Kosovës


Pasditen e së mërkurës, disa qindra qytetarë u mblodhën para një kishe në Podgoricë të Malit të Zi, në shenjë solidarizimi me serbët në Kosovë.

Përveç brohoritjeve “Kosova është zemra e Serbisë”, deklarime e fjalime të tjera nuk pati.

Disa prej këtyre qytetarëve mbanin veshur bluza me mbishkrimet “Vëllai për vëllain, nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, “Mali i Zi – Rusi”, madje kishte të atillë që mbanin edhe imazhin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Organizatorët nuk dihen publikisht, pasi që ftesa për këtë tubim ishte shpërndarë në rrjete sociale, ku thuhej se është organizuar nga një grup i qytetarëve.

Pjesë e këtij tubimi ishin edhe disa deputetë të partive të vogla pro serbe si Bogdan Bozhoviç nga Partia Popullore Socialiste dhe Marko Millaçiç nga Mali i Zi i Vërtetë, si dhe bartësi i listës zgjedhore të Koalicionit Popullor, Dejan Vukshiç.

Tubim i ngjashëm pritet të mbahet edhe këtë të enjte në qytetin e Nikshiqit.

Rreth një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë dhe rreth dy të tretat i takojnë një dege lokale të Kishës Ortodokse Serbe.

Tensionet me Beogradin janë zbutur ndjeshëm nga koha kur Mali i Zi e shpalli pavarësinë në vitin 2006, por çështjet e identitetit kombëtar malazez dhe kulturës së përbashkët shkaktojnë ende dilema.

Në tri komuna në veri të Kosovës, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, qytetarët serbë po protestojnë kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet e komunës.

Ata kanë dalë në rrugë nga e premtja, kur me urdhër të qeverisë, kryetarët e këtyre komunave u vendosën nëpër objekte komunale me asistim të policisë.

Serbët lokal po kërkojnë që kryetarët të largohen bashkë me Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësues të bashkimit Evropian në Kosovë kanë kërkuar që kryetarët e rinj, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme më 23 prill, të kryejnë detyrat e tyre teknike në objekte alternative, por jo në ndërtesa të qeverisë.

Kësaj kërkesë nuk i është përgjigjur vetëm kryetari i Lepozaviqit, Lulzim Hetemi. Dy kryetarët e tjerë Ilir Peci në Zveçan dhe Izmir Zeqiri në Zubin Potok, janë duke funksionuar nga lokacione alternative të komunës, sipas rekomandimit të ndërkombëtarëve por jo në zyrën e kryetarit në objektin e Komunës.

Në këto protesta 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan, 3 pre të cilëve u plagosën me armë zjarri dhe një Polic i Kosovës.

Në anën tjetër rreth 20 gazetarë janë sulmuar gjatë raportimit në pjesën veriore të Kosovës, nga e premtja dhe shumë vetura janë djegur e shkatërruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore