Shqipëria

Protestat pas vrasjes së Klodian Rashës, Çuçi: Nuk u dhunuan të miturit


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, foli ditën e sotme në seancën plenare. Ministri komunikoi disa të dhëna lidhur me protestat, pas vrasjes së të riut, Klodian Rasha.

Çuçi tha se pas asaj ngjarjeje të rëndë Tirana dhe disa qytete të tjera të vendit u përballën me tubime dhe protesta të dhunshme. Ai tha se protestuesit ishin të moshave të ndryshme duke nisur nga 12 vjeç. Ai deklaroi se nuk ka pasur dhunim të të miturve.

Ministri i Brendshëm tha se pas ngjarjes vendi u përball me disa protesta dhe tubime të ndryshme. Çuçi konfirmoi se gjatë protestave nuk janë dhunuar të miturit. Ministri bëri publike një përmbledhje statistikore.

“Në total janë 46 punonjës policie të dëmtuar gjatë protestave, tetë policë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dy të Policisë së Shkodrës dhe pjesa tjetër punonjës të FNSH. Procedime penale për tubim të paligjshëm janë 578 persona, 97 të arrestuar, të mitur nga 14-18 vjeç, 4 persona”.

Çuçi shtoi se janë proceduar në gjendje të lirë 470 persona dhe se në kërkim janë tetë persona. Gjithashtu nga mosha 14-17 janë proceduar 215 persona. Janë proceduar dhe 5 persona mbi 16 vjeç.

Sjellim në vëmendje se më tetë dhjetor 2020, shtetasi Klodian Rasha, u vra nga një efektiv i Policisë  së Shtetit, gjatë patrullimit, në rrugën “Dritan Hoxha”.

Vrasja e 25 vjeçarit në lagjjen e tij shkaktoi reagime të shumta te qytetarët dhe protesta në disa qytete në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore