Lajme

Protestat në urat e Budapestit kundër Orban-it


Turma e njerëzve që kanë bllokuar Urën Margaret të Budapestit për gati një javë duket si një festë.

Fanellat shumëngjyrëshe, biçikletat dhe flamujt i japin protestës një imazh të gëzueshëm.

Në fakt, ka pak për t’u gëzuar.

Mijëra njerëz, që nga fillimi i javës së kaluar, janë mbledhur në Urën Margaret, Urën Elizabeth dhe para Parlamentit hungarez, për të protestuar kundër masave shtrënguese të marra nga qeveria e Viktor Orban.

Masat kanë ardhur në përgjigje të krizës ekonomike dhe energjetike për shkak të luftës në Ukrainë.

Çka ka shkaktuar zemërim te kryeqytetasit është edhe masa e miratuar në 24 orë, modifikimi i “Kata-s”, një regjim tatimor i subvencionuar që synon taksapaguesit e vegjël.

Ajo është një taksë e sheshtë shumë e njohur dhe duket se është një nga arsyet pse ka pasur pak rritje në klasën e mesme kohët e fundit.

Ideja për të dalë në rrugë erdhi në jetë në mediat sociale nga të rinjtë e pavarur të zemëruar me qeverinë. Protestat e tyre u organizuan në Facebook dhe Twitter.

Por me protestuesit janë bashkuar edhe opozitarët, të cilët dolën keq nga zgjedhjet e prillit ku Orbán u rikonfirmua për herë të katërt në qeveri me një shumicë dërrmuese prej 135 vendesh nga 199.

“Fidesz i Orban-it i fitoi zgjedhjet me gënjeshtra”, ka thënë udhëheqësi opozitar Marki-Zay.

“Ai u premtoi të gjithëve një jetë të lehtë, por ora e së vërtetës ka ardhur. Duhet të dalim në terren për të mbrojtur njerëzit e dëmtuar nga regjimi: pronarët e bizneseve të vogla, mësuesit, infermierët, policët, pensionistët”, ka shtuar ai.

Këto janë protestat e para pas votimit të prillit.

Tani për tani, rrugët duket se nuk e trembin kryeministrin, i cili këtë javë paralajmëroi shkurtime të tjera shpenzimesh dhe një kufi për subvencionet.

Sipas Peter Kreko, drejtor i institutit të kërkimit të kapitalit politik në Budapest, Orbán fitoi popullaritet përmes ndihmës bujare sociale dhe tani po përballet me një test të vërtetë stresi.

Çka po ndodh tregon se populizmi ekonomik përfundimisht arrin kufirin e tij, sipas tij.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore