Kosova

Propozimi tre-pikësh për dalje nga kriza, opozita është ‘pro’


Situata në Veri të Kosovës po vazhdon të jetë e brishtë. Policë, gjyqtarë dhe prokurorë serbë vendosen të tërhiqeshin nga institucionet e Kosovës, kur Qeveria nuk pranoi ta zhbëjë vendimin për targat, derisa ndërkombëtarët kanë dalë me një propozim trepikësh, për t’i ikur krizës.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ky plan i publikuar nga Albanian Post më 9 nëntor, duhet të pranohet nga kryeministri Albin Kurti.

“Faktori ndërkombëtar tanimë ka dhënë propozimet e tyre për tejkalim të situatës atje, dhe të dy palët duhet gjetur një dakord”, thotë deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, për Albanian Post.

Bunjaku thekson se kjo situatë i shkon në favor Serbisë në prolongim të bisedimeve rreth statusit final të Kosovës duke hedhur fajin e problemeve teknike me qeverinë kosovare.

“Propozimet e ndërkombëtarëve, aq më tepër të përkrahura edhe nga SHBA ne duhet t’i marrim shumë seriozisht. Çdo vendim që merret nga qeveria jonë duhet të jetë në koordinim me SHBA si aleatët tanë të besueshëm, andaj edhe këto propozime duhet shikuar nga ky prizëm për tejkalimin e situatës”.

Ndërkaq deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekajt, plani trepikësh i ngjason me qëndrimin e AAK-së, tanimë i bërë publik nga kryetari Ramush Haradinaj, i cili sipas Lekajt, “ishte më i zëshmi nga gjithë liderët opozitarë duke insistuar për pranimin e kërkesës së aleatëve amerikanë sa i përket çështjes së targave”.

Edhe Lekaj thotë se kryeministri Kurti duhet ta ketë të qartë që pa koordinim me ShBA-të, “cenohet siguria në vend dhe pozicioni ndaj Serbisë”.

“Sugjerimi e aleatëve, sikurse që është shtyrja e vendimit për targat, është i nevojshëm që t’i jepet mundësi arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Lekaj për AP.

“Realisht, tek kjo gjendje kemi ardhur nga menaxhimi jo i mirë i situatës nga ana Qeverisë dhe moskoordinimi në veprime me aleatin tonë, ShBA-të”.

Për nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitakun, kryeministri Kurti, ka gabuar që dialogun për njohje reciproke e ka degraduar ne ri-noterizim të marrëveshjeve paraprake teknike.

“Njohja reciproke është me e rëndësishme se targat. Po ashtu, aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti”, pohon Çitaku.

Hoxha: Dalja nga kjo situatë është shumë e thjeshtë

Për ligjëruesin e medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, plani tre pikësh është një tentim për të anashkaluar tensionin qe është shkaktuar panevojshëm ditëve të fundit me insistimet e palës serbe për destabilizim dhe pa dëgjueshmërinë e palës kosovare për të tejkaluar këtë ngërç edhe pas lutjeve të shteteve mike të Kosovës siç është edhe ShBA.

Prandaj, ai mendon se dalja nga kjo situatë është me e thjeshtë se sa dihet.

“Kosova duhet të rreshtohet me partnerët strategjikë, sepse nuk i bëhet vonë për implementimin e marrëveshjes për targat dhe të zhvendosë lojën e fajësisë mbi Serbinë, por për këtë veprim, duhet të dihet se Kosova nuk ka interes të shantazhojë dialogun me insistime të tilla”, thotë Hoxha për Albanian Post.

Madje ai vuri në pah se demonstrimi i gatishmërisë së Kosovës për shtyrje të afatit për targa, ka mundur të kanalizohej si “kompromis” nga ana kosovare, “por tentimet për kontrolle të politikes simbolike janë gjendur në rrugë si pengesë për këtë punë”.

Ekskluzive në Albanian Post: Propozimi tre-pikësh i ndërkombëtarëve për dalje nga situata aktuale në Veri – kështu vazhdohet tutje

Çfarë thuhet në planin tre pikësh?

Albanian Post e ka publikuar propozimin me pikat dhe synimet e tij.

Pika e parë e propozimit ndërkombëtar për të dalë nga kriza aktuale është që “të dyja palët duhet ta konfirmojnë përkushtimin e tyre për planin Franko-gjerman dhe të dyja palët të kthehen në negociata”.

Në pikën dy bëhet një kërkesë eksplicite për qeverinë e Serbisë.

“Serbia pajtohet se kërkesa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duhet të diskutohet vetëm përbrenda tërësisë së planit Franko-gjerman – pra, si pjesë e strukturës së përgjithshme të planit”, thuhet në propozimin ndërkombëtar në të cilin ka pasur qasje AP.

Pika e tretë është një tjetër kërkesë, por për Kosovën.

“Kosova pajtohet që të zbusë masat në raport me çështjen e targave”, pohon propozimi.

Synim i këtyre tri pikave në formë të kërkesave nga ndërkombëtarët është qetësimi i situatës në terren, kthimi i normalitetit dhe krijimi i mundësisë për vazhdim të dialogut në Bruksel.

“Kjo duhet të formojë bazën për rikthim në dialog dhe rikthimin gradual të serbëve në institucione”, pohohet në propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore