Lajme

Propozimi i PDK-së, pensionim të parakohshëm për zyrtarët policorë


Deputetet e PDK-së: Ganimete Musliu dhe Rashit Qalaj.

Partia Demokratike e Kosovës, të premten ka nisur hartimin për pensionet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Këtë e kanë bërë të ditur dy deputetët nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Rashit Qalaj në një konferencë të përbashkët për media.

Fjalën e ka marrë fillimisht deputetja Musliu e cila e ka sqaruar nismën e hartimit për këtë projektligj.

“Ne emër të grupit parlamentar të PDK-së kemi marrë nismën e hartimit për pensionet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e inspektoratit policor të Kosovës me autorizime policore. Nisma për hartimin e projektligjit të cekur më sipër nga grupi parlamentar i PDK-së është bazuar në nenin 79 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës”.

Ajo tutje ka thënë se policia e Kosovës sa i përket moshës nuk është edhe aq e re.

“Duke e ditur që Policia e Kosovës edhe pse është policia më e re e formuar në Evropë ajo fatkeqësisht nuk është e re në moshë, tani zyrtarët e policisë arrijnë moshën mesatare rreth 47 vjeç”.

Deputetja, Ganimete Musliu.

Ndërsa e ka konsideruar urgjent shqyrtimin e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës.

“Është e domosdoshme të bëhet shqyrtimi i këtij projektligji në afatin më të shkurtër kohor, ne kemi përgatitur edhe memorandumin shpjeguese të këtij ligji, kemi mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe sot zyrtarisht do ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës”.

Sipas deputetit Qalaj, ky projektligj do të sjell një frymë të re tek policia e Kosovës.

“Arsyeja kryesore është që policia e Kosovës të fitoj një energji të re, të jetë një polici me dinamike, të jetë një polici me efikase”, deklaroi Qalaj.

Ngjashëm si Musliu, edhe Qalaj përmendi moshën e policisë.

“Mos të harrojmë që në policinë e Kosovës ka edhe shume persona që janë me moshë të shtyre dhe me sëmundje të rënda dhe kur këto të dyja kombinohen është vështirë që të kryhet puna e policisë”.

Deputeti, Rashit Qalaj.

“Ngjashëm është edhe për njësinë speciale të Kosovës të cilat kanë nevojë të ripërtërihen gradualisht”.

Ndryshe, Policët e Kosovës, njëjtë sikurse edhe zjarrfikësit, punojnë pa sigurime shëndetësore nga shteti.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës është një nga institucionet më të besueshme në vend, sa i përket ofrimit të sigurisë, tregojnë sondazhe të ndryshme të opinionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore