Lajme

“Propozimi franko-gjerman është një pajtim për të mos u pajtuar”, intervistë ekskluzive me Joachim Rucker


Fotografia e punuar nga Albanian Post

Në ndërkohë që institucionet vetëqeverisëse të Kosovës po përgatiteshin për të shpallur pavarësinë e Kosovës, pas sinjalit të fuqishëm amerikan i kumtuar nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, gjatë një vizite në Shqipëri  – enough is enough, Kosovo is Independent –  në Zyrën e Shefit të UNMIK-ut, në atë botë, Joachim Rucker, mbizotëronte një qetësi shurdhuese.

Pikërisht kjo qetësi buronte nga neutraliteti që kishte Organizata e Kombeve të Bashkuara në raport me çështjen e statusit të Kosovës.

Prandaj në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, Joachim Rucker, ish-Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe njëherit ish-shef i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), ka kujtuar ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe qasjen që kishte marrë kjo zyrë, pasi “realiteti në terren kishte ndryshuar thellësisht”.

“Reagimi im para dhe pas asaj deklarate ka qenë gjithmonë i njëjtë: çfarëdo që të ndodhë duhet të bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe një interpretim të shëndoshë ligjor të saj…”, ka thënë Rucker për Albanian Post.

Nga përfundimi i mandatit të Rucker si kryeadministrator i Kosovës, kanë kaluar 15 vjet, prandaj shton ai, Kosova që nga ajo kohë po ecë në rrugën e duhur.

“…Mendoj se sot Kosova ka një demokraci që funksionon mirë, me një shoqëri civile aktive dhe një treg te hapur ekonomik, në përputhje me standardet e BE-së…”.

18 shtator Albanian Post publikoi pjesërisht dokumentin i cili përmban kornizën e re franko-gjermane, i cili më vonë u pagëzua si propozim i BE-së. Ndërsa më 12 nëntor Albanian Post publikoi dokumentin në fjalë në tërësi, ku të përfshirë ishin 9 nene.

Sipas kornizës së re të dialogut, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Për Rucker, nëse me draftin në fjalë hapet rruga e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe Bashkimin Evropian, atëherë i njëjti “meriton një shans”.

Intervista e plotë e Joachim Rucker për Albanian Post:

Albanian Post: Gjatë mandatit tuaj si shefi i UNMIK-ut Kosova kishte shpallur pavarësinë. Cili ishte reagimi juaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës marrë parasysh se ju ishit kryeadministratori i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë u bë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së?

Joachim Rucker: Reagimi im para dhe pas asaj deklarate ka qenë gjithmonë i njëjtë: çfarëdo që të ndodhë duhet të bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe një interpretim të shëndoshë ligjor të saj. Nëse rasti do të ishte kështu, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm për UNMIK-un mund të ishin në gjendje të mbanin pozicionin e qartë të neutralitetit, në dritën e interpretimeve të ndryshme të Rezolutës 1244 brenda Këshillit të Sigurimit. Dhe kjo, me saktë neutraliteti i statusit të UNMIK-ut, është ajo që ndodhi. Nuk ishte për t’u habitur që Beogradi kundërshtoi interpretimin e Prishtinës të Rezolutës 1244 në Gjykatë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, megjithatë, konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës bazohej në një interpretim të shëndoshë ligjor të Rezolutës 1244.

Albanian Post: Nga koha juaj e shërbimit në Kosovë, cilat ishin sfidat që kishit atëherë dhe në bindjen tuaj do të mbeteshin sfida edhe për një kohë të gjatë?

Joachim Rucker: Në kohën time të shërbimit, unë vazhdimisht thosha se Kosova, thjesht duke folur, po përballet me një tranzicion të trefishtë: nga lufta në paqe, nga diktatura në demokraci dhe nga një ekonomi komuniste (stili jugosllav) në një ekonomi tregu. Mendoj se sot Kosova ka një demokraci që funksionon mirë, me një shoqëri civile aktive dhe një treg te hapur ekonomik, në përputhje me standardet e BE-së. Sfida e mbetur është paqja në kuptimin më të gjerë, përkatësisht normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, që natyrisht duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe elementet e pazgjidhura nga procesi i dialogut. Shpresoj që kjo të mos marrë shumë kohë, por është sfida kryesore e mbetur.

Albanian Post: Sa keni shërbyer në Kosovë, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës. Si do ta vlerësonit punën me të dhe në përgjithësi me politikanët e Kosovës?

Joachim Rucker: Ju mund të mbani mend se unë kisha insistuar në zgjedhjet komunale dhe qendrore të nëntorit 2007, për të lënë demokracinë të ecë në rrugën e saj, pavarësisht nga erërat e forta dhe thirrjet për shtyrje në Kosovë dhe në bashkësinë ndërkombëtare. Rezultati ishte një qeveri e re koalicioni me një kryeministër të ri Hashim Thaçi. Ashtu si me paraardhësit e tij Ramush Haradinaj dhe Agim Çekun, ne kishim një marrëdhënie profesionale dhe respektuese, të ndërgjegjshëm për rolet dhe përgjegjësitë tona të ndryshme. Po ashtu kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë profesionale dhe personale edhe me presidentin Fatmir Sejdiu.

Albanian Post: Parë pas kaq vitesh, cila besoni është e arritura më e madhe e shteti të Kosovës nga viti 2008 dhe cila është ngecja më e madhe?

Joachim Rucker: Siç thashë, mendoj se është një arritje e madhe që Kosova tani ka një demokraci të gjallë, me një shoqëri civile aktive dhe një treg të hapur ekonomik në rrugën e saj drejt rritjes së qëndrueshme. Liberalizimi i vizave të BE-së, i vonuar prej kohësh dhe më në fund duke filluar nga viti 2024, është vetëm një rezultat i këtyre zhvillimeve. Pengesa më e madhe është, për mendimin tim, që marrëdhëniet me Serbinë nuk janë normalizuar ende dhe si pasojë, Kosova ende nuk mund t’i bashkohet familjes së kombeve në Kombet e Bashkuara. Që do të thotë: Serbia sigurisht që duhet ta njohë Kosovën, dhe të dyja palët duhet të fokusohen në elementet e pazgjidhura nga procesi i dialogut, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizimit.

Albanian Post: Aktualisht ka një propozim nga Bashkimi Evropian, i cili po quhet propozimi franko-gjerman. Nëse jeni në dijeni të këtij propozimi dhe e keni parë se çfarë përmban. A vlerësoni se ky propozim është zgjidhje e mirë për të dyja palët dhe nga aq sa i njihini pozicionet respektive, a besoni se do të pranohet?

Joachim Rucker: Unë jam në dijeni të këtij propozimi. Nga sa dihet, bëhet fjalë “për një pajtim për të mos u pajtuar” si bazë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Diçka si një njohje de-facto në krahasim me një njohje de-jure. Politika dhe diplomacia ndërkombëtare rrallëherë janë bardh e zi. Kështu që unë do të thoja: nëse i hap rrugën, ndër të tjera, anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe anëtarësimit të Serbisë dhe Kosovës në BE, ajo meriton një shans.

Albanian Post: Më parë, në vitin 2018 ka qenë edhe një propozim tjetër, ai për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. A besoni se shkëmbimi i territoreve do të ishte zgjedhje më e mirë?

Joachim Rucker: Jo, unë nuk mendoj kështu. Mendoj se shkëmbimi i territoreve është një ide e shekullit të 19-të, e bazuar në konceptet etnike të kombeve. Ne jetojmë në shekullin 21 dhe Kosova dhe Serbia janë shoqëri multietnike. Megjithatë, ka propozime që mund t’i japin një shtysë të re procesit të dialogut, si krijimi i një Zone të Veçantë Ekonomike ndërkufitare nga Mitrovica në Novi Pazar, me respekt të plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore