Lajme

Propozimi franko-gjerman 2.0


Josep Borrell

Teksti i propozimit franko-gjerman që fillimisht e publikoi Albanian Post me 18 shtator ka marrë nuanca të reja dhe ndërhyrjet e fundit në tekst janë prezantuar të hënën në Beograd dhe të martën në Prishtinë, ka njoftuar Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Ai, derisa po merr pjesë në Samitin e BE-së që po mbahet në Tiranë, pohoi se përmirësimet e fundit sapo u ka mbërritur liderëve në duar.

“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë”, sqaroi Borell.

“Tani ata duhet të angazhohen në diskutime serioze dhe të vazhdojnë në këtë momentum që prezanton një mundësi të madhe”, shtoi ai.

Sa për çështje që krijuan ngërç, siç ishte ajo e targave, deklaroi se janë tejkaluar.

“Sa i përket dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit ky është një moment i rëndësishëm. Çështja për targa ka përfunduar, tani ata duhet të angazhohen, të angazhohen më të vërtetë, në dialog me propozimin që u kemi vënë në tavolinë si lehtësues me mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës”, tha Borell.

Miroslav Lajçak

Në anën tjetër në Kosovë, gjatë ditës ka qëndruar i deleguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

I njëjti pas një takimi 1 orësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë të ditur se çështja e cila u diskutua në këtë takim ka qenë normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, më saktësisht hapat e ardhshëm që duhet ndjekur lidhur me këtë proces, i cili është bazuar në propozimin franko-gjerman.

Sipas diplomatit sllovak, Unioni po dëshiron të përdorë këtë momentum, pas arritjes së një marrëveshje për çështjen e targave, për të aranzhuar një takim të nivelit të lartë i cili do të adresonte çështjen e normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Takimi mund të mbahet brenda javëve. Nuk kemi kohë për të humbur, e njëjta nuk duhet cilësuar si presion, por duhet ta përdorim këtë moment pozitiv”, ka deklaruar Lajçak.

“Kemi një situatë pozitive në terren, prandaj po dëshirojmë që fokusin ta orientojmë drejtë bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”.

Ai tutje ka thënë se nuk mund ta japë afate se kur mund të arrihet marrëveshja mes dy vendeve dhe se kjo varet nga angazhimi dhe puna e Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk jam fans i afateve, kemi pasur mjaft shumë afate deri më tani, mund të them se deri në mars mund të shohim se ku jemi me bisedime dhe se çfarë progresi kemi bërë në këtë drejtim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore