Shqipëria

Propozimi francez, nis takimi Kovaçevski-Sela


E hëna e 4 korrikut shënoi nisjen e diskutimeve mes aktorëve politikë në Maqedoninë e Veriut sa i takon propozimit francez.

Kështu kryeministri Dimitar Kovaçevski ka takuar liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Konsultimet e gjera për propozimin francez kanë filluar të premten, fillimisht me partnerët e koalicionit në qeveri, disa prej të cilëve tashmë janë shprehur pozitivisht për propozimin, e disa pritet ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme.

Kryeministri i vendit zhvilloi edhe takime konsultative me trupin diplomatik, shoqërinë civile, përfaqësues të publikut ekspert dhe medias.

Kovaçevski dje pati edhe një takim edhe me liderin e partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski.

Për këtë të fundit, propozimi francez është i papranueshëm.

Disa ditë më parë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur, përmes një njoftimi zyrtar, se e ka pranuar propozimin e Presidencës franceze.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka pranuar propozimin nga Presidenca franceze me ide që u referohen qëndrimeve tona të shprehura publikisht”, cilësohet fillimisht në deklaratë.

Sipas autoriteteve vendase, kjo paraqet bazën për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil dhe publikun e gjerë.

“Siç edhe premtuam, vendimin për të ardhmen do ta marrim bashkërisht, sipas meritave, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të të gjithë qytetarëve të saj”, thekson reagimi i qeverisë maqedonase.

Në përmbyllje, autoritetet falënderuan presidentin francez Emmanuel Macron për përpjekjet në lidhje me kapërcimet e pengesave dhe ruajtjen e kredibilitetit evropian në Ballkan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore