Lajme

Propozimi francez: Kovaçevski takohet me kryeopozitarin maqedonas


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski do të realizojë të dielën e 3 korrikut një takim me liderin opozitar të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Lajmi u bë i ditur nga mediat vendase, duke cituar njoftimin zyrtar të qeverisë.

“Në kuadër të konsultimit të gjerë i cili filloi të realizohet menjëherë pas marrjes së propozimit evropian, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski gjatë ditës së sotme do të zhvillojë takim me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski”, bën me dije deklarata.

Sipas saj, ky takim është rezultat i një sërë takimesh të planifikuara konsultative me liderët e opozitës.

Kjo, si pjesë e konsultimit të gjerë për propozimin e presidencës franceze.

Në njoftim theksohet sakaq se Kovaçevski ka zhvilluar takime konsultative me liderët e koalicionit qeveritar, korin diplomatik, sektorin civil dhe përfaqësues të ekspertëve dhe mediave.

“Kryeministri Kovaçevski paralajmëroi se çdo vendim mbi propozimin do të merret me dialog dhe konsultime në interes të së ardhmes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, vijon njoftimi.

Takimi, siç u konfirmua paraprakisht nga burime qeveritare do të mbahet në ora 15:00 në klubin e deputetëve.

Mickoski mori pjesë më herët në protestën para autoriteteve qeveritare nën moton “Ultimatum- Jo faleminderit”.

Në mbledhje krahas anëtarëve të Këshillit të Sigurisë do të marrë pjesë edhe zëvendës kryeministri për Çështjet evropiane, Bojan Mariçiç.

Reagimet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u bëri thirrje autoriteteve maqedonase dhe popullit të Maqedonisë së Veriut që ta pranojnë propozimin francez.

“Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari, i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas dhe shqiptarë në MV u them: Pranojeni!”, shkruante Rama në statusin e tij.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur, përmes një njoftimi zyrtar, se e ka pranuar propozimin e Presidencës franceze.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ka pranuar propozimin nga Presidenca franceze me ide që u referohen qëndrimeve tona të shprehura publikisht”, cilësohet fillimisht në deklaratë.

Sipas autoriteteve vendase, kjo paraqet bazën për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil dhe publikun e gjerë.

“Siç edhe premtuam, vendimin për të ardhmen do ta marrim bashkërisht, sipas meritave, në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të të gjithë qytetarëve të saj”, thekson reagimi i qeverisë maqedonase.

Në përmbyllje, autoritetet falënderuan presidentin francez Emmanuel Macron për përpjekjet në lidhje me kapërcimet e pengesave dhe ruajtjen e kredibilitetit evropian në Ballkan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore