Lajme

Propozimet e Michel për Ballkanin Perëndimor – Një anëtarësim më i shpejtë në BE apo një alternativ ndaj zgjerimit?


Charles Michel

Javën e kaluar, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë një fjalimi propozoi një reformim të procesit të zgjerimit të BE-së. Elementi kyç i propozimit ishte integrimi gradual i vendeve kandidate në sektorë të ndryshëm të Bashkimit Evropian.

Nisma për reformimin e zgjerimit duket plotësisht e përshtatshme për momentin, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të procesit.

“Gjatë dekadës së fundit, procesi i anëtarësimit ka shënuar një rënie serioze në aspektin e ndikimit dhe besueshmërisë në sytë e qytetarëve të zakonshëm të Ballkanit Perëndimor”, thotë Gjergji Vurmo , Drejtor Programi në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim nga Tirana dhe anëtar i Grupi Këshillues i Politikave të Ballkanit në Evropë.

Të paktën në letër, propozimi i Michel sipas studiuesve të politikave të zgjerimit të BE-së, synon përshpejtimin e procesit të zgjerimit. Megjithatë, një element konfuzioni u shtua kur, gjatë të njëjtit fjalim, Michel nënvizoi gjithashtu nevojën për të “menduar përtej zgjerimit” dhe mbështeti idenë e komunitetit gjeopolitik evropian, i cili dukej i ngjashëm me një koncept të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Në mars 2020, ndërsa vendet e Evropës u përpoqën t’i përgjigjeshin valës fillestare të COVID-19, Këshilli Evropian miratoi metodologjinë e re të zgjerimit, e cila u hartua në fillim të atij viti nga Komisioni Evropian. Metodologjia u iniciua nga Franca pas vetos së saj për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Propozimi i Michel-it bazohet në idenë e metodologjisë së re të zgjerimit – stimuj më konkretë dhe më thelbësorë në fillim të procesit për ata që performojnë mirë”, thotë Milica Deleviç, Drejtore e Qeverisjes dhe Çështjeve Politike në BERZH, për mediumin EWB.

Teksti origjinal i metodologjisë së re propozonte një “integrim më të ngushtë të rajonit në Bashkimin Evropian, punë për integrim të përshpejtuar dhe “përfshirje” në politikat individuale të BE-së, tregun e BE-së dhe programet e BE-së.

Diçka të ngjashme pati deklaruar edhe vetë Michel, në fjalimin e tij më 18 maj, ku mes tjerash kishte nënvizuar faktin se zgjidhja e ngecjes së procesit të zgjerimit qëndron në integrimin gradual, me faza, edhe pse procesi i anëtarësimit vazhdon.

Sipas Michel, procesi i ri i zgjerimit do të ishte më i dobishëm se forma aktuale dhe do të inkurajonte dhe përshpejtonte reformat e nevojshme. Ekspertët për Ballkanin Perëndimor, të paktën në parim, bien dakord për këtë pikë.

Milica Deleviç, thekson se propozimi i Michel bën që disa përfitime që lidhen me anëtarësimin të bëhen të arritshme më herët.

Në anën tjetër Tena Prelec , bashkëpunëtore kërkimore në Universitetin e Oksfordit, pajtohet se Michel ka shprehur disa pika në lidhje me zgjerimin e BE-së “që duhen mirëpritur jashtëzakonisht shumë”, në veçanti, ideja që procesi duhet të jetë më i shpejtë dhe gradual.

“Ajo që na nevojitet, tani më shumë se kurrë është t’i japim zgjerimit të BE-së një kuptim të ri. Për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për integrim të përshpejtuar për vendet që po performojnë mirë. Një përshpejtim i bazuar në merita, në vend të bllokimit arbitrar që ka njollosur tashmë prej vitesh zgjerimin e BE-së”, thotë Prelec.

Por, ndërsa vetë nisma mund të jetë pozitive, ende nuk dihet nëse vendet e tjera anëtare të BE-së do ta pranojnë atë seriozisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore