Kosova

Propaganda e Vuçiç-it: Policia do të qëllonte mbi serbët nëse do të organizonin zgjedhjet në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se nuk pret ndryshim të qëndrimit të Kosovës për votimin e serbëve në Kosovë, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë për qendra të veçanta të votimit në Serbi, duke shtuar se kinse policia speciale e Kosovës do të gjuante në drejtim të serbëve nëse ata do të organizonin zgjedhjet në Kosovë.

“Serbët me siguri do të hakmerreshin, ndoshta jo, por sigurisht që do të kishin dhjetëra, për të mos thënë qindra të vdekur”, tha Vuçiç në një emision të Euronews Serbia.

“Qëllimi i Kurtit ishte të përpiqej të zhvaste njohjen teknike të pavarësisë së Kosovës, ku Qeveria e Serbisë do ta njihte Qeverinë e Kosovës”.

Më tej Vuçiç është shprehur se dëshira e dytë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ishte “që 50 mijë votat që njerëzit në Kosovë do t’i jepnin me siguri si kandidat presidencial [Vuçiçit], më shumë se të tjerët, të jetë një ndryshim vendimtar”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

“Për mua është e rëndësishme të shmang konfliktet. Dhe ne kurrë nuk do ta njohim Kosovën si të pavarur”, deklaroi ai.

Kosova nuk i ka ndërruar komandantët serbë të policisë, ashtu siç e ka pasur për qëllim, sepse ata janë “presionuar nga QUINT-i”.

“Ata e dinë se serbët më vonë do të largoheshin nga të gjitha institucionet, dhe atëherë keni një situatë në të cilën është fjala për momentin se kur do të ndodhë një incident më i madh”.

“Kujt i duhet përveç Kurtit, nuk i duhet as Perëndimit, të paktën shpresoj të mos i duhet”, ka thënë Vuçiç.

Deklarimi i Vuçiç-it erdhi pasi kryeministri Kurti u është drejtuar në gjuhen serbe qytetarëve serbë të Kosovës me anë të një video incizimi, për rastin e suspendimit të gjyqtares serbe, Liliana Stevanoviç, duke ju thënë që të mos ndikohen nga regjimi autoritar i Beograd.

Kurti më tej ka thënë se qeverisë së Beogradit nuk i interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë, por se qeveria në Beograd bënë përpjekje që ta destabilizoj Republikën e Kosovës për qëllime zgjedhore, e ndoshta edhe për interesa luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe, duke lënë të nënkuptuar se bëhet fjalë për Federatën e Rusisë.

“Ju ftoj që të ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës”.

“Rritja ekonomike, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, rritja e eksporteve, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, rritja e investimeve të huaja direkte dhe e buxhetit të shtetit, na japin shpresë neve që jetojmë këtu”, është shprehur Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore