Lajme

Prokuroria Speciale zgjeron hetimin ndaj serbit që dyshohet se ishte pjesëmarrës në masakrën e Dubravës


Burgu i Dubravës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se të premten e 2 dhjetorit, ndaj të pandehurit me inicialet G.M., janë zgjeruar hetimet pasi dyshohet se i njëjti ka keqtrajtuar fizikisht të burgosurit në Burgun e Dubravës si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e tyre.

“Prokuroria Speciale njofton se në kuadër të hetimit për vrasjet dhe keqtrajtimet e të burgosurve në Burgun e Dubravës, gjatë luftës në Kosovë, ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimit kundër të pandehurit G.M., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka keqtrajtuar fizikisht të burgosurit e atij burgu si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e një numri të madh të të burgosurve gjatë muajit maj të vitit 1999”, thuhet në komunikatën për media.

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka caktuar të pandehurit G.M., paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një serb, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Sipas komunikatës për media, lëshuar nga Policia e Kosovës, i arrestuari dyshohet se gjatë periudhës kohore 1998 – 1999 ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Dubravës.

“Policia e Kosovës, me datën 01.12.2022, ka shoqëruar të dyshuarin mashkull kosovar serb, G. M., (1958) në Polici për intervistim dhe procedura të mëtejme”.

“Në konsultim me prokurorin kompetent i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit të tij të siguruar sipas detyrës zyrtare, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në komunikatën për media.

“Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale është lëshuar aktvendim për arrestim dhe ndalim policor në kohëzgjatje prej 48 orësh”.
Burgu i Dubravës

Në periudhën ndërmjet 19 e 24 majit të vitit 1999, rreth 1 mijë të burgosur shqiptarë në burgun e Dubravës, janë masakruar nga forcat serbe.

Në burgun e sigurisë së lartë, për 5 ditë rresht janë vrarë mizorisht rreth 160 persona.

Ndërsa 300 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore