Kosova

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj 10 personave


Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 10 personave.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga prokuroria ku thuhet se nëntë prej tyre janë të akuzuar për bixhoz e njëri për armëmbajtje pa leje.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dhjetë (10) personave, ku nëntë (9) prej tyre A.N, M.B, SH.K, E.D, R.D, F.M, B.G, R.M dhe M. B janë akuzuar për shkak të veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm nga neni 294 par”.

“2 lidhur me nenin 31  i KPRK-së, ndërsa kundër  një (1)  të  akuzuari  është paraqitur aktakuzë  në drejtim të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më 18 prill, edhe Prokuroria Themelore e Pejës, kishte ngritur aktakuzë ndaj 18 personave për korrupsion, lidhur me subvencionet e ministrisë së Bujqësisë në Komunën e Istogut.

“11 prej tyre janë persona zyrtarë dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Mashtrimi në detyrë’. Ndërkohë shtatë të tjerë janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale ‘Mashtrim me subvencione”, thuhet në komunikatë.

Nga Prokuroria në aktakuzë ishte kërkuar edhe konfiskimi i një banese dhe rreth 20 mijë euro para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore