Lajme

Prokuroria po heton sulmin kibernetik ndaj disa institucioneve qeveritare


Ilustrim

“Policia e Kosovës në koordinimi me Prokurorinë e Shtetit është duke zhvilluar hetimet”.

Kështu të paktën ka deklaruar për Albanian Post, Zyra për Informim pranë Policisë e Kosovës, kur është pyetur për rastin në të cilën, Qeveria e Kosovës, ka qenë cak i një sulmi kibernetik, sulm i cili ka ardhur nga jashtë Kosovës.

Në këtë përgjigje, zyra për informim nuk ka dhënë detaje të mëtejme se nga kush eventualisht kanë ardhur këto sulme.

Për sulmin në fjalë kishte lajmëruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovë, Përparim Kryeziu, përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook.

Sipas tij, fatmirësisht sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës së rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.

“Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, gjegjësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarr veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit”, pati deklaruar ai.

E lidhur me këtë problematik, Albanian Post, pati kontaktuar ekspertë të fushës së sigurisë kibernetike për të kuptuar më në detaje se cilat janë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës në këso raste.

Për t’i evituar sulmet eventuale në të ardhmen, Mentor Hoxhaj, udhëheqës i CyberSecurity and Privacy, kishte kërkuar ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike, por edhe testim të sistemeve.

“Këto janë parakusht për një sistem të siguritë. Të testohen në baza vjetore”, kishte thënë Hoxhaj për Albanian Post.

Sulme kibernetike, mbyllen përkohësisht sistemet qeveritare në Shqipëri

Me të njëjtën sulm muaj më parë u ballafaqua edhe Shqipëria.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit atje pati mbyllur përkohësisht qasjen e shërbimeve online si edhe të faqeve tjera qeveritare, kjo pasi që gjendej përballë një sulmi kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë.

Mu për këtë arsye Qeveria shqiptare pati ndërprerë të mërkurën e 7 shtatori marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, pasi që prapa sulmit kibernetikë të 15 korrikut ishte po ky shtet.

“U zbulua se sulmi i 15 korrikut nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”, ishte deklaruar Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore