Gjykata Speciale

Prokuroria kërkon të refuzohet kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për mospranim të dëshmisë së dëshmitarit të dytë


Hashim Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), është duke kërkuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes së Hashim Thaçit, lidhur me dëshminë e dëshmitarit të dytë me kodin “W02652”.

Lajmi është bërë e ditur përmes një komunikate nga ana e ZPS-së.

“Kërkesa për të hequr nga procesverbali dhe për të përjashtuar mbështetjen në pjesët e dëshmisë së W02652 në lidhje me përfshirjen e pretenduar të Thaçit në arrestimin dhe keqtrajtimin duhet të refuzohet”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së.

Në përgjigje e ZPS është thënë se kërkesa “është e parakohshme” dhe si e tillë “duhet të refuzohet si e paaftashme”.

“Deklaratat e mëparshme të W02652, duke implikuar qartë Thaçin në incidentin përkatës, janë në dispozicion të mbrojtjes që nga 30 janari 2023. Çështjet, faktet dhe rrethanat në lidhje me të cilat do të shqyrtonte W02652, të cilat i referoheshin njohurive të ‘W02652 për arrestimin dhe ndalimin e [REDAKTUAR]’, iu dhanë Mbrojtjes më 1 shkurt 2023’’, thuhet në përgjigje.

Mbrojtja e Thaçit mund të kishte ngritur një kundërshtim pas shqyrtimit të deklaratave të mëparshme të W02652, apo ata mund ta kishin bërë këtë pas njoftimit të ZPS-së se W02652 do të adresonte incidentin përkatës, se ata mund të kishin ngritur kundërshtimin e tyre menjëherë përpara fillimit të dëshmisë së W02652, apo se ata mund të kishin kundërshtuar menjëherë në gjykatë kur ZPS filloi të nxirrte dëshminë.

“Megjithatë, në mënyrë të pashpjegueshme, mbrojtja e Thaçit dështoi të ngrejë çështjen në asnjë nga këto mundësi”, thuhet nga ZPS, përcjell ‘Betimi për Drejtësi’.

Tutje është thënë se, “përfshirja e Thaçit në këtë incident është e rëndësishme për aspekte të shumta të aktakuzës, duke përfshirë të gjitha krimet e akuzuara, qëllimin e përbashkët kriminal, ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe ndihmën dhe nxitjen e dhe/ose përgjegjësinë e lartë për krimet e kryera”.

Ata thonë se mbrojtja e Thaçit nuk ofron arsye të vlefshme pse Paneli, i përbërë nga gjyqtarë profesionistë, pasi ka dëgjuar dëshminë, duhet ta shpërfillë atë duke kërkuar nga trupi gjykues që të marrë parasysh dëshminë dhe të vlerësojë peshën e saj në fund të gjykimit në dritën e tërësisë së procesverbalit, duke përfshirë dëshminë.

Në këtë çështje gjyqësore, dëshmitari i dytë ka filluar dëshminë më 17 prill, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 29 prill, ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore