Lajme

Prokuroria kërkon që Vukotiçit t’i ashpërsohet dënimi, mbrojtja kërkon lirimin e tij


Zoran Vukotiç, i dënuar me 10 vite burgim për krime lufte.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka kërkuar dënim më të ashpër sesa ai me 10 vite burgim, që Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar Zoran Vukotiçit, pasi u shpall fajtor për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Mirëpo, në anën tjetër, mbrojtja kërkon lirimin e të njëjtit.

Avokati Nebojsha Vlajiç mbrojtësi i Vukotiçit, me ankesën e ushtruar në Apel, i ka propozuar kësaj të fundit që aktgjykimi dënues i shkallës së parë të ndryshojë për shkak të të gjitha bazave ankimore.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Shpresa Berisha, ka parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi lidhur me vendimin mbi dënimin, duke pretenduar se janë plotësuar të gjitha kushtet që të lartpërmendurit t’i caktohet një dënim më i lartë.

Prokurori i Apelit, Arben Ismajli, deklaroi se e mbështet në tërësi ankesën e PSRK-së dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, ndërsa propozoi që ankesa e avokatit të refuzohet.

Në ankesën e avokatit Vlajiç, të cilën e referoi gjykatësi Tomislav Petroviç, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka kompetencë territoriale, për shkak se kompetenca territoriale caktohet sipas vendit ku është kryer krimi.

Zoran Vukotiç, i dënuar me 10 vite burgim për krime lufte

“Vepra penale për të cilën akuzohet Vukotiç është kryer në Vushtrri, në këtë rast është kompetente të veproj Gjykata Themelore ne Mitrovicë, që do të thotë nuk është vepruar sipas obligimeve ndërkombëtare”, tha gjykatësi Petroviç, raporton betimiperdrejtesi.

Avokati Vlajiç, potencoi se ankesa e prokurorisë është e pa bazuar, duke shtuar se e njëjta nuk duhet të aprovohet, ndërsa sa i përket ankesës së përfaqësueses së palës së dëmtuar, ai tha se është e pa lejuar.

Tutje, Vlajiç tha se në rastin e Vukotiçit të gjitha provat janë jo ligjore dhe i njëjti duhet të lirohet nga akuza.

Sipas tij, “kthimi në procedurë kishte me qenë shkelje e ligjit”.

Në seancën e së martës këto ankesa u shqyrtuan nga kolegji në përbërje nga gjyqtarët Aferdita Bytyqi, Tomislav Petroviç dhe Bashkim Hyseni.

Vukotiçi u dënua nga shkalla e parë me 10 vite burgim, më pesë korrik të këtij viti.

Vukotiç është dënuar nga Themelorja për akuzat se si pjestar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj të vitit 1999.

Në bashkëkryerje me pjestarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore.

Sipas prokurorisë, Vukotiç ka kryer dhunim seksual si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore