Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për tetë të dyshuarit në rastin “Brezovica 3”


Prokuroria Themelore në Ferizaj

Për të arrestuarit e një dite më parë në rastin Brezovica 3, A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore e po këtij qyteti, caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Tetë të arrestuarit aktualisht janë nën masën e sigurisë ndalim për 48 orë, njofton Prokuroria.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016, i pandehuri I.M., si person zyrtar – Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit” nga neni 422 par.1 të KPRK-së”.

“I njëjti, sipas Prokurorisë, në mënyrë të tërthortë ka pranuar para, që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par. 2 të KPRK-së.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për të pandehurin A.I., thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare. Me këtë thuhet se do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. “Po ashtu, i njëjti, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.

Ndërsa për të pandehurit Z.G., dhe A.X., ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH) në Prishtinë, në bashkëkryerje kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës, Komuna Shtërpcë, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 par. 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të KPRK-së.

Të njëjtit, si persona zyrtar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH), në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë marrë para, me qëllim të ushtrimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit ” nga neni 431 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ndaj M.Sh., ekziston dyshimi i bazuar se në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare. Me këtë thuhet se do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Më tej, thuhet se i njëjti, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij. Me këtë thuhet se do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431, paragrafi 2 të KPRK-së.

“Sipas Prokurorisë, ndaj  të pandehurit F.H., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2010, në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së”.

“I njëjti, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.”.

Kurse, ndaj të pandehurit R.A., thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2018, në Shtërpcë, në mënyrë të tërthortë, i ka dhënë para personit zyrtar që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij.  Me këtë thuhet se do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429, paragrafi 3 të KPRK-së.

Tutje, thuhet se i njëjti, në mënyrë të tërthortë, i ka dhënë para personit zyrtar që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar. “Me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2017, i njëjti ka falsifikuar dokumentin publik, me qëllim që të përdoret si origjinal, me këtë do të kryente veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 par.2 të KPRK-së”.

“Kurse, ndaj të pandehurit H.A., ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2015-2020, në Shtërpcë, si investues në vikend-zonë, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë, i ka dhënë dhurata në para dhe vikend-shtëpiza personit zyrtar me qëllim që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së”.

“I njëjti në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, me këtë do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.”, përfundon komunikata e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore