Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e 21-vjeçares: E goditi disa herë me armë në kokë

Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Dini Fetahu
13.04.2024 13:52
Loading Icons...

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj që t’ia caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të dyshuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij 21-vjeçare, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj të premten.

Përmes një njoftimi për media, nga Prokuroria kanë thënë se i dyshuari me dashje ka privuar nga jeta viktimën, duke e goditur disa herë në kokë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Nga prokuroria kanë bërë të ditur se i pandehuri ka poseduar armë të tipit “Zoraki M” pa autorizim, deh si rrjedhojë dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“I pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit ZORAKI M 2906-T, me një karikator të zbrazur, e cila më 12 prill 2024, iu është konfiskuar nga policia, me çka kreu veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, theksohet aty.

Çka ndodhi?

Të premten e 12 prillit nga Policia e Kosovës, u konfirmua për vrasjen e një gruaje në Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale dhe një person tjetër mbeti i lënduar.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri . Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë”.

Më pas nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, u bë e ditur se i dyshuari kryesor për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj.

“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi ish-bashkëshorti është arrestuar”, ka thënë kryeprokurori Shukri Jashari në një deklaratë për media.

Ndërsa përmes një komunikate për media nga Prokuroria është thënë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Vrasje”.

“I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Përmes një komunikate për media, policia ka konfirmuar se dorasi i dyshuar që ka kryer vrasjen është 36 vjecar, ndërsa viktima 21 vjeçare.

Ndërsa plagë trupore ka pësuar një person i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Nga policia është sqaruar se fillimisht i dyshuari është larguar në drejtim të panjohurm, por që më pas u arrestua.

“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A ( M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartëcekur.

Deklaratat e krerëve të shtetit për rastin

Krerët e shtetit për rastin, kanë kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të shqiptoj dënime të merituara, duke kërkuar që ato të ashpërsohen – në mënyrë që rastet e tilla të jenë më të pakta.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që dënimet qesharake të ndërpriten.

“Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë. Ngushëllime të sinqerta familjes! Dënim maksimal për vrasësin!”, ka shkruar Osmani.

Si Osmani, edhe Kurti ka kërkuar që ky veprim të dënohet ashpër.

“Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”.

Ndërsa, nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u tha se pavarësisht përpjekjeve për të ndaluar rastet e tilla, të njëjtat po vazhdojnë të përsëriten.

“Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta”.

“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve”, ka shkruar Haxhiu.

Kurse, theksoi se janë duke punuar për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin veprimet sipas kompetencës

Të fundit

Aktuale