Zgjedhjet në Kosovë

Prokuroria fillon hetimet rreth rastit të zgjedhjeve në Han të Elezit


Ilutrim

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet pas marrjes së informatave se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka anuluar procesin e votimeve të datës 17 Tetor 2021 për kryetar komune në Han të Elezit.

Nëpërmjet një njoftimi publik, prokuroria thotë se hetimet kanë filluar për zbardhjen e rastit.

“Me qëllim të zbardhjes së rastit në mënyrë sa më të saktë dhe të drejtë, ka autorizuar Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin në fjalë”.

Hetimet kanë filluar nën dyshimin për veprat penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës të KPRK-së (KPRK), thuhet në  njoftim.

PZAP me vendim që Hani i Elezit të shkoj në rivotim

Komuna e Hanit të Elezit do të përsëris edhe një herë procesin e votimit për Kryetar Komune.

Kjo, pas vendimit që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka marrë pas takimit të mbajtur këtë të enjte.

Ankesa në PZAP kishte bërë Rufki Suma, kandidat i pavarur, për kryetar komune në këtë qytet, ku ndër të tjera ai kishte paraqitur një CD me disa video ku kandidati për kryetar komune të PDK-së, Mehmet Ballazhi, është parë duke vizituar të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.

PZAP erdhi deri te ky vendim pasi fillimisht Rufki Suma paraqiti ankesë kundër Partisë Demokratike të Kosovës “për presion ndaj votuesve”.

PDK do të ankohet në Gjykatën Supreme

Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e zgjedhjeve në Komunën e Hanit të Elezit dhe çuarjen e kësaj komune në rivotim, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dal me një deklaratë ku thuhet se vendimi i PZAP-së është i pashembullt dhe cenon demokracinë dhe se lidhur me këtë do të bëjë ankesë brenda afatit ligjor në Gjykatën Supreme.

PDK konsideron se PZAP-ja ka bërë përpjekje për të “anuluar vullnetin e mijëra votuesve në Han të Elezit për kandidatin e PDK-së”.

Ankesa e cila dërgoi deri tek marrja e vendimit sipas PDK-së është e “pa afatshme” dhe se “nuk ka përmbajtur asnjë ankesë të qytetarëve, të asnjë vëzhguesi apo komisioneri”.

“Në bazë të të dhënave nga KQZ, në librat e votimit nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe mbi këtë bazë të rregullt, kundër kandidati ia ka uruar edhe fitoren kandidatit të PDK-së”, thuhet në deklaratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore