Lajme

Prokuroria e Gjykatës Speciale kërkon që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite burgim


Salih Mustafa

Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka kërkuar që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite heqje lirie, në seancën e së martës ky kjo zyre po paraqet deklaratën e saj përmbyllëse.

Sipas prokurorit të rastit, Cezary Michalzuk, ZPS-ja për Salih Mustafën, po kërkon 10 vite burgim për aktakuzën për ndalim arbitrar, 20 vite burgim për trajtim mizor dhe 25 vite burgim për torturë.

Ndryshe gjatë seancës së Gjykatës Speciale, prokurori Michalzuk, pati deklaruar se katër ditë pasi Salih Mustafa mori ftesë për t’u intervistuar nga ZPS-ja, bashkëpunëtori i tij kishte dërguar një mesazh përmes celularit, ku shënohej emri dhe mbiemri i dëshmitarit të mbrojtur për rastin e tij.

Cezary Michalzuk

Në anën tjetër për prokuroren, Silvia D’Ascoli, provat e paraqitura në gjykim dëshmojnë se Salih Mustafa është përgjegjës për të gjitha krimet për të cilat po akuzohet.

Sipas saj të gjitha viktimat dhe dëshmitarët me fjalë të thjeshta, por bindëse treguan se si gjatë luftës në Kosovë nga 1 prill 1999 deri në 19 prill 1999 u dërguan në Zllash dhe u mbajtën në mënyrë të paligjshme në kompleks. Ajo tha se dëshmitarët  treguan se si qëndruan në kushte të tmerrshme, u dëgjua se si abuzoheshin, rriheshin dhe torturoheshin nga mbajtësit e tyre.

Për prokuroren historitë e tyre ishin të forta, të ngjashme me njëra tjetrën dhe vërtetonin njëra tjetrën si dhe dëshmonin të gjitha elementet e krimeve në aktakuzë dhe përgjegjësinë e të akuzuarit për ato krime.

Jack Smith, prokurori i  Specializuar, në seancën e së martës, gjatë deklaratës së tij përfundimtare në gjykimin ndaj Salih Mustafës, tha se i akuzuari mban përgjegjësi penale për vrasjen e një personi dhe se  faktet nuk lënë asnjë pikë dyshimi se ai është fajtor për krimet me të cilat është i ngarkuar.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore