Lajme

Prokurori Jashari: I dyshuari për vrasjen e 18 vjeçares – i përfshirë në dyshime edhe për një vrasje


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në komunën e Ferizajt, Shukri Jashari

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në komunën e Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ishte i njohur për prokurorinë e policinë. Megjithatë, ende nuk dihen shkaktarët e vdekjes.

Jashari në një konferencë për media ka theksuar se ende nuk dihen shkaktarët e vdekjes së 18 vjeçares për shkak se nuk është bërë i ditur ende raporti i autopsisë.

“Sa i përket personit me inicialet D.K, është person i njohur për policinë dhe për prokurorinë i cili ka një numër të rasteve të cilat tashmë janë të mbyllura. Ka qenë i dyshuar dhe i akuzuar për vrasje, raste të natyrave të ndryshme penale”, ka thënë Jashari.

“Prokurori i shtetit dhe Policia ka prova të mjaftueshme për të përfshirët në këtë vrasje. Për momentin shkaktari i vdekjes nuk dihet për shkak sepse është bërë autopsia por ende nuk e kemi pranuar raportin e autopsisë për të caktuar se cili është shkaktari i vdekjes”, është shprehur ai.

Sipas tij, Prokuroria Themelore në Ferizaj është në koordinim me zyrën e kryeprokurorit të shtetit dhe Policinë e Kosovës për të arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar.

“Sigurojmë familjen e viktimës dhe qytetarët se prokurori i shtetit është duke trajtuar këtë çështje me seriozitetin më të lartë që së shpejti të gjithë të involvuarit të dalin para drejtësisë”, theksoi prokurori Jashari.

Ndërsa sa i përket personit të dytë Jashari ka deklaruar se “është e vërtetë që edhe për personin me inicialet A.S është ngritur një aktakuzë ndaj tij qysh në vitin 2013 për tentim vrasje dhe ende nuk është mbajtur shqyrtimi kryesor, i cili është i caktuar më 23 shtator të vitit 2021”.

Kur pyetet nga gazetarët se a mund të jetë e mundur që personi i arratisur të mund të ketë kaluar kufijtë dhe të jetë larguar nga Kosova, prokurori është përgjigjur duke thënë se “deri më tani nuk kemi informacione se i njëjti ka kaluar jashtë territorit të Kosovës”.

“Është rrahur për vdekje”, tregojnë për Albanian Post, burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për rastin e M.O, 18-vjeçares, e cila u la pa shenja jete në Emergjencën e Ferizajt të dielën rreth orës 15:00.

Ndërkaq, obduksioni i trupit të pajetë të 18-vjeçares, “mund të përfundojë sot dhe t’i dorëzohet familjes”, ndërsa raporti u dorëzohet organeve hetuese të Prokurorisë.

Dardan Krivaqa, 29-vjeçari nga Ferizaj, i cili është në arrati dhe po kërkohet nga Policia e Kosovës, si i dyshuari kryesor për vrasjen e M.O, 18-vjeçare, bashkë me A.S, 32 vjeç, i cili është në duar të policisë dhe i është caktuar masa e paraburgimit deri në fillim të procedurave ndaj tij, me vendim të prokurit të rastit.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu, përmes postës elektronike, për Albanian Post ka treguar se i dyshuari Krivaqa është recidivist i disa veprave penale.

“Pas verifikimit në regjistrat tanë, personi në fjalë (D.K) është recidivist i veprave të ndryshme penale si ‘Vjedhje e rëndë’, ‘Lëndim i lehtë trupor’, ‘Kanosje’, ‘Lëndim i rëndë trupor’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, pa dhënë më shumë detaje rreth kryerjes së këtyre veprave penale, përfshirë edhe kohën kurë kanë ndodhur rastet.

I lindur në vitin 1992, Dardan Krivaqa ka ndjekur mësimet në shkollën fillore “Gjon Serreçi”.

Gjatë gjithë periudhës së shkollimit fillor, ai “ka qenë djalë problematik”, tregojnë ish-shokët e klasës së tij, për Albanian Post, pa treguar identitetin, për shkak të “frikës nga hakmarrja”.

“Shumë shpesh kanë ardhur policia në shkollë për shkak të tij, ka mbajt thikë e na tutke edhe në shkollë”, vazhdon më tej rrëfimin i riu nga Ferizaj.

“Edhe çikat i ka ngucë gjithë, tip problem. Pas një kohe kemi dëgjuar që ka shkuar në Francë, atje e ka një vëlla, nuk e di saktë kur ka shkuar”, përfundon rrëfimin e shkurtër një ish nxënës i klasës së Dardan Krivaqës.

Policia rajonale e Ferizajt ka shpërndarë gjithandej fotografitë e 29-vjeçarit Dardan Krivaqa, duke kërkuar nga të gjithë qytetarët që të ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore