Lajme

Prokurorët siguruan dokumentacionin fiskal të ish-Presidentit Donald Trump


Cyrus R. Vahce Jr, prokuror në New York, ka siguruar kopje të dokumenteve fiskale të ish- Presidentit Donald Trump, pasi Gjykata e Lartë hodhi poshtë përpjekjet e Trump-it për të bllokuar dorëzimin e dokumentacionit.

Zyra e prokurorit të Manhatanit, duke vepruar me urdhër gjykate, pak orë pas vendimit të Gjykatës së Lartë të hënën e 22 shkurtit kërkoi dorëzimin e dokumentacionit nga firma e kontabilitetit që përfaqëson Trump-in.

Hetimet nga prokurori

Prokurori ka një vit e gjysmë që përpiqet për të marrë në dorëzim dokumentacionin fiskal në kuadër të hetimeve lidhur me aktivitetin e biznesit të ish-presidentit.

Dokumentet mbrohen në bazë të rregulloreve të sekretit për çështje që dalin para një jurie të madhe.

Hetimet nga prokurori lidhen me zbulimin nëse Trump ka gënjyer për vlerën e zotërimeve të tij në mënyrë që të përfitojë nga terma favorizuese kredie dhe ulje taksash. Ai po heton gjithashtu paratë që ju janë dhënë disa grave për të mbyllur ankesat dhe rrëfimet e tyre me pretendime për sjellje të parregullta nga ana e ish- presidentit.

Kërkesa për dokumentacion

Zyra e prokurorit paraqiti në gusht 2019 urdhrin e gjykatës pranë firmës së kontabilitetit Mazars USA, duke kërkuar dorëzimin e dokumentacionit fiskal dhe materialeve të tjera për tetë vjet të aktivitetit të biznesit të Trump.

Gjykata e Lartë hodhi poshtë këtë argument në korrik. Avokatët e Trump-it u kthyen në një gjykatë të shkallës më të ulët me argumentin se urdhri për dorëzimin e dokumenteve janë nxjerrë me motivacion politik.

Urdhri i gjykatës që paraqiti Vance kërkon nga firma Mazars USA jo vetëm të dorëzojë versionet finale të dokumenteve fiskale, por edhe versionet paraprake të këtyre dokumenteve dhe “të gjitha faturat, raportet tre mujore dhe raportet e auditorëve të pavarur” që janë në zotërim të kësaj firme.

Firma Mazars nuk e ka kundërshtuar urdhrin e gjykatës dhe në një deklaratë në kohën kur doli urdhri është shprehur se “do të respektojë procesin ligjor dhe të bashkëpunojë plotësisht me detyrimet e saj ligjore”.

Urdhri i gjykatës përmban kërkesën për dorëzimin e marrëveshjeve të kontraktimit të llogaritarëve që kanë përgatitur dokumentacionin fiskal.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore