Ekonomi

Prokurorët gjermanë konfiskojnë 50 milionë dollarë fantazëm


Prokurorët gjermanë kanë konfiskuar më shumë se 50 milionë euro bitcoin nga një mashtrues.

Ka vetëm një problem, policët nuk mund t’i zhbllokojnë paratë sepse ai nuk do t’u japë atyre fjalëkalimin.

Pasi u kap, shtetasi gjerman u dënua me burg dhe që atëherë e ka kryer dënimin e tij, por gjatë gjithë kohës nuk ka folur.

“Policia bëri përpjekje të përsëritura, por të dështuara për të thyer kodin që ruan më shumë se 1 mijë e 700 bitcoin”, tha një prokuror në qytetin bavarez të Kempten-it.

“Ne e pyetëm atë, por ai nuk tregon”, tha prokurori Sebastian Murer për agjencinë e lajmeve, Reuters. “Ndoshta, ai sinqerisht nuk e di”.

Bitcoin-ët ruhen në programin e njohur si “portofol digjital”, i cili sigurohet përmes kriptimit. Për të hapur portofolin dhe për të hyrë tek bitcoin-ët, nevojitet një fjalëkalim, i cili përdoret si një çelës dekriptimi. Kur fjalëkalimi humbet, përdoruesi nuk mund ta hapë portofolin digjital.

Mashtruesi ishte dënuar me më shumë se dy vite burg sepse kishte instaluar e fshehtas një program në kompjuterë të tjerë për të shfrytëzuar fuqinë e tyre që të “minojnë” ose të prodhojnë bitcoin.

Në momentin e arrestimit të tij, sasia bitcoin që ai posedonte, kishte vlerën sa një fraksion i vlerës aktuale. Çmimi i bitcoin-it është rritur gjatë vitit të kaluar, duke arritur një rekord të lartë prej 42 mijë dollarësh në janar. Kriptovaluta bitcoin, sipas faqes së internetit Coindesk, aktualisht e ka vlerën e tregut 37 mijë e 577 dollarë..

Prokurorët kanë siguruar opinionin publik që mashtruesi nuk ka akses në bitcoin-ët e sipërpërmendura.

Shumë pronarë të bitcoin kanë vuajtur kryesisht për shkak të problemeve me fjalëkalimin. Mendohet se rreth 4 milionë nga afërsisht 19 milionë njësi bitcoin, aktualisht në qarkullim, janë të humbura.

“Humbur” në këtë kontekst do të thotë që janë hequr elektronikisht nga regjistri. Kjo sepse pronari i tyre ka harruar fjalëkalimin e monedhave të grumbulluara në USB.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore