Lajme

Prokurorët francezë kontrollojnë zyrat e partisë së Macron-it


Prokurorët francezë thanë të mërkurën se selia e partisë “Rilindja” e presidentit Emmanuel Macron ishte kontrolluar.

Kjo, në një hetim për përdorimin e firmave konsulente nga qeveria që nga viti 2017.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë franceze.

Zyrat e Parisit të gjigantit konsulent amerikan “McKinsey” u kontrolluan gjithashtu të martën, tha Zyra e Prokurorit Financiar Kombëtar (PNF), duke konfirmuar një raport në gazetën Le Parisien.

Përdorimi i konsulentëve nga qeveritë e Macron u vu në qendër të vëmendjes në mars.

Kjo, pasi një hetim nga Senati francez arriti në përfundimin se shpenzimet publike për ta ishin më shumë se dyfishuar nga 2018-2021 gjatë mandatit të parë të Macron-it.

McKinsey konfirmoi gjithashtu kontrollin e zyrave të saj, duke thënë se “po bashkëpunonte plotësisht me autoritetet”.

Dy hetime kanë nisur që nga tetori, duke shqyrtuar kontabilitetin e mundshëm të rremë të fushatës zgjedhore, si dhe favorizimin dhe konspiracionin e mundshëm.

Disa konsulentë të McKinsey-t dihet se kanë punuar si vullnetarë të papaguar në fushatën zgjedhore fitimtare të Macron-it në vitin 2017.

Prokurorët mendohet se po hetojnë nëse kjo përfshinte një shpenzim të fshehur të fushatës.

Ata po shqyrtojnë gjithashtu nëse firma gëzonte akses dhe trajtim të veçantë më pas kur fitonte kontrata fitimprurëse me qeverinë.

Shpenzimet totale për firmat konsulente arritën më shumë se një miliard euro (1.1 miliardë dollarë) vitin e kaluar, një shifër e cituar shpesh nga kundërshtarët e Macron gjatë ofertës së tij të suksesshme për një mandat të dytë prillin e kaluar.

Prokurorët nuk e kanë identifikuar publikisht presidentin ose ekipet e tij të fushatës si objektivat e hetimit, për të cilin Macron tha në nëntor se “nuk kam frikë nga asgjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore