Aplikacione

Projektligji për të ndihmuar mediat të negociojnë me Google-in dhe Facebook-un në SHBA


Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë ka publikuar një version të rishikuar të një projektligji që synon ta bëjë më të lehtë për mediat të negociojnë kolektivisht me platforma si Google-i dhe Facebook-u.

Akti i Konkurrencës dhe Ruajtjes së Gazetarisë “heq pengesat ligjore për aftësinë e organizatave të lajmeve për të negociuar kolektivisht dhe për të siguruar kushte të drejta nga platformat që aksesojnë rregullisht përmbajtjen e lajmeve pa paguar vlerën e saj”.

Grupi përfshin senatoren demokrate Amy Klobuchar dhe senatorin republikan John Kennedy, të dy anëtarë të Komitetit Gjyqësor dhe anëtarët e Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, David Cicilline dhe Ken Buck.

Versioni i mëparshëm i projektligjit, i prezantuar në mars 2021, u kundërshtua nga dy grupe të industrisë së teknologjisë që i përkasin Facebook-ut dhe Google-it.

Kurse projektligji i përditësuar mbulon botuesit e lajmeve me më pak se 1 mijë e 500 punonjës me kohë të plotë dhe transmetuesit e lajmeve.

Kjo do t’i lejojë ata të punojnë së bashku për të fituar marrëveshje më të mira nga Facebook-u, Google-i dhe platforma të tjera të mëdha.

Sakaq, legjislacioni i vitit 2021 do të zbatohet për çdo organizatë lajmesh të shtypura, transmetuese ose digjitale me një staf redaktues të dedikuar që boton në baza javore.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore