Lajme

Projektligji për lejimin e tërheqjes së 30% të Trust-it u shpërndahet deputetëve – Haxhiu, optimist


Deputeti në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

Nismëtari i iniciativës për mundësimin e tërheqjes të deri në 30 përqind të fondit pensional, Bekim Haxhiu, bëri të ditur se tani më projektligi u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit.

Haxhiu u shpreh optimist se deputetët “do ta dëgjojnë zërin e qytetarëve” që projektligji të kalojë në Kuvend.

“Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30% të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook..

“Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”.

Foto: profili i Facebook-ut të deputetit Bekim Haxhiu

Deputeti i PDK-së edhe njëherë u bëri thirrje deputetëve të kuvendit të Kosovës ta mbështesin kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

Për të kaluar projektligji për Trust-in duhen 31 vota “për” dhe prezenca e 61 deputetëve

Për ndryshimin e projektligjit që do të mundësonte tërheqjen e një përqindje të Trust-it pensional domosdoshmërisht duhet që prezentë në Kuvend të jenë së paku 61 deputetë ku nga ta 31 të votojnë “pro”, ka thënë Agnesa Haxhiu, monitoruese e Kuvendit nga organizata KDI.

Edhe pa pëlqimin e qeverisë, projektligji automatikisht ka hyrë në procedurë parlamentare për shqyrtim, ka thënë ajo për portalin e lajmeve “front-online”.

“Tani pasi ka kaluar një muaj sa kishte afat kohor Qeveria, që të jep mendim lidhur me nismën ligjore për plotësim-ndryshimin e projektligjit që do të mundësonte tërheqjen e një përqindje të Trust-it, edhe pa mendimin e qeverisë projektligji automatikisht ka hyrë në procedurë [parlamentare] për shqyrtim”, ka thënë ajo.

“Kjo nënkupton që projektligji shpërndahet te deputetët dhe shqyrtohet sipas procedurave të rregulta që parashihen në Rregulloren për shqyrtim të çfarëdo projektligji”.

Siç e shpjegoi Haxhiu, me doemos duhet 31 vota për dhe prezencë prej 61 ligjëvënësish të Kuvendit të Kosovës.

“Fillimisht, Komisioni funksional do ta trajtojë në shqyrtim të parë dhe do ta përcjell në seancë për lexim të parë dhe nëse aty merr votat e mjaftueshme atëherë vazhdojë në shqyrtimin e dytë në komisionin funksional dhe në katër komisionet e përhershme dhe më pastaj procedohet në seancë për miratim final”.

A ka mbështetje për këtë iniciativë?

Deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, me iniciativën e tij ka propozuar që të lejohet tërheqja e deri në 30% të kursimeve pensionale si pasojë e situatës së rënduar ekonomike dhe rritjes së çmimeve në nivele të papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë përkrahur në parim lejimin e tërheqjes së një përqindje të arsyeshme të Trust-it, derisa Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar a priori.

Megjithatë, deputeti Haxhiu thotë se janë rreth 12 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët janë dakord të votojnë për plotësim-ndryshimit e projektligjin për Trust-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore