Shqipëria

Projektligji për “Grupet Vendore të Veprimit”, Krifca: Më shumë fonde për komunitetin rural


“U miratua Projektligji ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Grupeve Vendore të Veprimit’, që përafron kuadrin ligjor të bujqësisë me Bashkimin Evropian”.

Këtë e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të mërkurën e 24 nëntorit.

Gjatë fjalës së saj Krifca bëri me dije se kjo përcakton parakushtet për krijimin dhe funksionimin e grupeve vendore të veprimit.

“Për rrjedhojë i jepet mundësi komuniteteve rurale për të marrë më shumë financim. Këto grupe vendore mund të marrin fonde bashkërisht në mënyrë që të kryejnë projekte së bashku në ndërtimin e rrugëve të fshatit dhe investime të tjera infrastrukturore”.

Ky Projektligj, sipas Krifcës, synon të rregullojë aktivitetin e strukturave, të cilat qëndrojnë në themel të qasjes “LEADER”.

Kjo e fundit vjen në kuadër të forcimit të kapitalit social, inkurajimit të përfshirjes së të gjithë aktorëve, ndihmën në trajtimin e pengesave ekzistuese, si dhe duke krijuar mundësi të mira për shkëmbimin dhe përhapjen e informacionit dhe teknologjisë në zona më të largëta rurale.

Ministrja u ndal edhe tek roli vendimmarrës që ka komuniteti në bashkëpunim me bashkitë – të cilat janë po ashtu të përfshira.

Ajo vendosi theksin tek fuqizimi i mekanizmit të transmetimit të kërkesave nga fermerët, sipërmarrësit, shoqatat dhe bashkitë drejt politikave publike.

Aktualisht, theksoi ajo, po krijohet një strategji kombëtare për 2022-2027, e cila do të shtrihet dhe rijetëzohet në të gjitha komunitetet rurale në vend.

E gjitha kjo do të bëhet nëpërmjet programit IPARD.

“Pas miratimit edhe nga kuvendi, ky ligj do i cili do t’i japë një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetës”, e përmbylli fjalën e saj Krifca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore