Shqipëria

Projektligji për amnistinë fiskale do të ketë një afat 9-mujor


Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi se projektligji për amnistinë fiskale do të ketë një afat 9-mujor.

Lajmi u bë i ditur gjatë konsultimit mes qeverisë dhe një grupi përfaqësuesish të bizneseve.

“Afat 9 mujor. Në zbatim të këtij ligji do krijohet një njësi speciale të ndërveprojë aktivitetin e saj me të gjitha institucionet që kanë si objekti korrupsionin, krimin”, u shpreh fillimisht Ibrahimaj.

Sipas zyrtares, në një periudhë 5-ditore do analizohen të gjitha kërkesat nga subjekte apo tatimpagues.

Kjo, duke ndërvepruar me të gjitha institucionet që lidhen me luftën kundër krimit, korrupsionit dhe terrorizmit.

“Të finalizohen të gjitha projektet që kemi të parashikuara. Kemi një historik ku prej 30 vitesh kemi pasur normë informaliteti të lartë, është e nevojshme të ngrihen struktura që të krijohet viti zero ku të ndalohet që këto para të qarkullojnë jashtë bankave”, vijoi ministrja shqiptare.

Për Ibrahimajn, nëpërmjet amnistisë fiskale do bëhet e mundur që paratë nga puna e padeklaruar, të mund të legalizohen.

“Në situatën ekonomike në të cilën ndodhemi është e rëndësishme që ekonomia të marrë inpute”, ravijëzoi në përmbyllje Ibrahimaj.

BE

Bashkimi Evropian është pozicionuar kundër draftit të ligjit në Shqipëri për amnistinë fiskale.

Lajmi u bë i ditur nga faqja zyrtare e delegacionit të BE-së.

Komisioni nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale.

Sipas deklaratës zyrtare, ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave.

Ndërkohë, vijon njoftimi, do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore.

“Për më tepër, për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”, përmbyllet qëndrimi i BE-së.

Drafti

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri ka nxjerrë për konsultim publik draftligjin për amnistinë fiskale dhe penale.

Aty përcaktohet edhe procedura për deklarimin vullnetar të pasurive të paluajtshme apo pasurive të luajtshme.

Kështu pasuritë mund të deklarohen pranë njësisë së posaçme që do të ngrihet pranë Administratës Tatimore, nëpërmjet paraqitjes së formularit të deklarimit vullnetar.

Ato janë pasuri me burime të padeklaruara, të regjistruara në regjistrat publike, pasuri me burime të padeklaruara, por që janë në proces regjistrimi dhe pasuri me burime të padeklaruara për të cilat janë lidhur kontrata shitjeje që nuk janë paraqitur për regjistrim sipas legjislacionit përkatës të fushës.

Po ashtu pasuritë e deklaruara vullnetarisht, që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë, mund të legalizohen me pagimin e tatimit të posaçëm, që ky draftligj e përcakton në nivelin 7-10 %.

Ndërkohë, pasuritë e legalizuara në këtë mënyrë mund të përdoren dhe administrohen lirisht sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës.

Projektligji për amnistinë fiskale, deklarim vullnetar deri në 2 mln euro, tatimi deri 10%, legalizohen edhe pasuritë - Revista Monitor

“Për legalizimin e pasurive, subjektet e këtij ligji, personalisht apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, plotësojnë formularin për deklarimin vullnetar të pasurive dhe e paraqesin këtë deklarim tek autoritetet përgjegjëse doganore kufitare për kryerjen e procedurave doganore”, shkruhet në draftligj.

Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të legalizimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si shkak apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve.

Njësia e posaçme në DPT do të merret me të gjithë procesin për të evidentuar që në këtë nismë të mos përfitojnë zyrtarët, apo personat e inkriminuar, por në fakt ky është edhe ngërçi i këtij ligji, ndarja e pasurisë nga puna në të zezë dhe ajo kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore