Shqipëria

Projekti për Portin e Durrësit, Rama: Historik, do të jetë porta kryesore e Shqipërisë


Po i numëroj orët derisa marrëveshja për investimin më të madh të huaj në vendin tonë të miratohet.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa mbajti fjalën e tij në Kuvend ku po diskutohej mbi projektin e Portit të ri të Durrësit, të cilin ai e ka cilësuar si “projekt historik”.

Rama tha se, porti aktual ishte një skandal mjedisor dikur i mbushur me fusha qymyri dhe me kushte mesjetare.

“Ky port është një skandal mjedisor dhe një plagë urbane nga e cila rrjedh një pisllëk prej dekadash. Është ndërfaqja e sotme e asaj zonës kancerogjene, atij malit me plehra e derra të zhdukur në Porto Romano”.

Rama siguroi se, projekti i ri do ta kthejë Portin e Durrësit nga një platformë “të zezë” në një nga qendrat më të mëdha në rajon.

Ashtu siç ka theksuar edhe më parë kryeministri u shpreh se porti do të jetë një portë e madhe e hapur për Shqipërinë dhe një prej porteve më të mëdha në Mesdhe.

Rama mori si shembull Malin e Zi, i cili ka ndërtuar shumë kohë më parë, një port disa herë më të vogël se ky do të realizohet në Shqipëri.

Për kryeministrin, ky investim në Mal të Zi bëri që ai të shkëputej nga pjesa tjetër e rajonit dhe të ngrihej shumë më lart.

“Shikoni Malin e Zi, është vendi me pagat më të larta në rajon”, tha Rama duke shtuar se ky investim ishte 10 herë më i vogël se ky që do të bëhet në Durrës.

Rama shprehet se projekti do jetë motor ekonomik, pasi do të sjellë një fond me tetë miliard euro PBB dhe do ngrejë vlerën e të gjitha hoteleve të qytetit.

Numri një i Qeverisë tha projekti i ri e ka marrë pëlqimin e qytetarëve të Durrësit, referuar votave të grumbulluara nga Partia Socialiste në atë zonë.

Sipas tij, në Durrës do të përdoret vetëm gjysma e 800 mijë metrave katrorë, ndërsa gjysma tjetër do të jetë hapësirë publike e transformuar plotësisht.

Kreu i Qeverisë shpjegoi se porti më i madh i vendit nuk mund të rrijë në zemrën e një porti turistik, pasi kështu nuk do të ketë asnjë mundësi zgjerimi.

“Arsyeja që duhet të ikë nga aty është për t’i përshtatur ambicieve të Shqipërisë së vitit 2022 dhe për të qenë porta më e rëndësishme hyrëse në Ballkanin Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore