Lajme

Projekti Pegasus: Kremlini nuk shton masat


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka dalë me një deklaratë zyrtare pas zhvillimeve, në qendër të të cilave janë “rrjedhja” e të dhënave e më shumë se 50 mijë numrave telefoni nga projekti Pegasus.

Ai ka siguruar se nuk do të ketë shtim të masave nga ana e autoriteteve ruse.

“Moska nuk ka nevojë të marrë masa shtesë sigurie lidhur me skandalin që rrethon spiunazhin Pegasus”, tha të mërkurën e 21 korrikut Peskov.

Sipas tij, masat e sigurisë merren rregullisht, kështu që nuk ka nevojë për masa shtesë.

Ai shtoi se, në përgjithësi, kreu i shtetit, kabineti, Zyra Ekzekutive Presidenciale dhe agjencitë e tjera qeveritare përdorin një sistem të veçantë komunikimi – komunikimin qeveritar – i cili mbrohet me besueshmëri.

NSO dhe Pegasus

Gjatë fundjavës, një konsorcium ndërkombëtar i mediave njoftoi se disa qeveri autoritare – përfshirë Meksikën, Marokun dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – përdorën spyware të zhvilluar nga NSO Group për të hack-uar telefonët e mijëra kritikëve, gazetarëve, aktivistëve, politikanëve dhe drejtuesve të biznesit.

Një listë e rrjedhur prej 50 mijë numrash telefoni të synuar për mbikëqyrje u zbuluan nga organizatat jofitimprurëse të gazetarisë me bazë në Paris “Forbidden Stories” dhe Amnesty International dhe u nda me një konsorcium raportues, duke përfshirë “The Washington Post” dhe “The Guardian”.

Studiuesit analizuan telefonat e dhjetëra viktimave për të konfirmuar nëse ata ishin në shënjestër të Spyware-ve Pegasus të NSO-së, i cili mund të ketë qasje në të gjitha të dhënat e telefonit të një personi.

Raportet gjithashtu konfirmojnë detaje të reja të vet klientëve të qeverisë, të cilat NSO Group i ruan nga afër.

Hungaria, një anëtare e Bashkimit Evropian ku privatësia nga mbikëqyrja supozohet të jetë një e drejtë themelore për 500 milionë banorët e unionit, emërtohet si një klient i NSO-së.

NSO Group hodhi poshtë pretendimet.

Kompania ka deklaruar prej kohësh që nuk e di se kë synojnë klientët e saj, gjë të cilën e përsëriti në një deklaratë për TechCrunch të hënën e 19 korrikut.

Studiuesit në Amnesty, puna e të cilëve u rishikua nga Citizen Lab në Universitetin e Torontos, zbuluan se NSO-ja mund të dërgojë Pegasus-in, duke i dërguar “viktimës” një link, i cili kur hapet infekton telefonin, ose në heshtje dhe pa ndonjë ndërveprim fare përmes një “zero- klikimi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore