Lajme

Projekti Pegasus – a u përgjuan qytetarët e Kosovës?


Ende nuk dihet nëse qytetarët e Kosovës e kanë përdorur aplikacionin e përgjimit Pegasues, i krijuar nga kompania izraelite “NSO Group”, i  cili infekton sistemet IPhone dhe Android për t’iu mundësuar operatorëve që të sigurojnë mesazhe, fotografi dhe emaila, të incizojnë bisedat dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofonat.

Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Kujtim Gashi, nuk e ka mohuar as pohuar nëse kosovarët e kanë përdorur këtë aplikacion, por ka theksuar se deri më tani nuk kanë asnjë informacion për Pegasusi-in.

“Mund të ketë diçka që deri tash ne nuk kemi informata, mund të jetë një aplikacion i grupeve të caktuara që kanë qëllime për marrje të dhënave dhe informacioneve të pa autorizuar, por ne atë nuk e kemi si informatë”, tha Gashi për Albanian Post.

“Deri tash s’kemi asnjë informacion për një aplikacion të tillë ose për një lloj të përgjimit ose afetkimit të sistemeve shtetërore ndaj institucioneve të Kosovës”.

Sipas tij, “duke e pas parasysh përgjegjësinë që kemi për sigurinë kibernetike, nuk kemi asnjë indikacion apo informacion që ky lloj aplikacioni ka afektuar sistemet e infrastrukturës kompjuterike shtetërore”.

Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Kujtim Gashi

Ndërkaq profesori në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, Blerim Rexha, konsideron se “cak i këtyre sulmeve të spiunimit janë vendim marrësit e nivelit të lartë, aty ku gërshetohen dhe thyhen interesat rajonale – globale”.

“Kjo është një luftë e vazhdueshme, në mes të zhvilluesve të softuerit dhe keqdashëseve duke shfrytëzuar dobësitë eventuale të programeve softuerike apo keqpërdorur ato për qëllime tjera ndaj kontratës fillestare (luftimi i terrorizmit”, ka theksuar Rexha.

“Kosovarët, dhe të gjithë shfrytëzuesit janë aq të sigurt, sa dinë dhe janë të vetëdijshëm për mundësinë e infektimit – e vetmja mbrojtje është vëmendja e shtuar dhe vetëdijesimi mbi rreziqet e mundshme. Sulmet kibernetike nuk kanë kufij gjeografik”.

Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës

Në anën tjetër, konsulent i lartë i sigurisë kibernetike në kompaninë multinacionale Capgemini ne Gjermani dhe njëkohësisht ligjërues në Kolegjin Riinvest, Fatbardh Veseli, pohon se qytetarët e Kosovës janë më pak të rrezikuar nga përgjimet e Pegasusi-it, krahasuar me vendet e tjera.

“Më së paku po aq sa shtetasit e vendeve të tjera. Po them më së paku, për shkak se në aspektin teknik është e ndërlikuar, duke pasur parasysh që disa lidhje të Internetit akoma kalojnë nëpër Serbi”, ka sqaruar Veseli për AP.

“Po ashtu siç u raportua kohëve të fundit edhe ne vendbanimet brenda Kosovës operatorët serb veprojnë. Operatorët e tillë kane mundësi të përgjimit. Për gazetarët dhe aktivistet në Kosovë është koha e fundit për tu edukuar për siguri kibernetike, për përdorimin e veglave për komunikim te mbrojtur, enkriptimin e emailave dhe dokumenteve, si dhe masave për mbrojtjen e rrjetit”

Megjithatë për Veselin, “projekti Pegasus nuk është befasi, por edhe për shumicën e ekskretëve në fushën Kibernetike pasi edhe në të kaluarën ka pas raportime për vegla të tilla, vegla të tilla që nuk i dimë supozojmë që mund të ketë edhe më shumë”.

Konsulent i lartë i sigurisë kibernetike në kompaninë multinacionale Capgemini ne Gjermani dhe njëkohësisht ligjërues në Kolegjin Riinvest, Fatbardh Veseli

NSO dhe Pegasus

Një konsorcium ndërkombëtar i mediave njoftoi se disa qeveri autoritare – përfshirë Meksikën, Marokun dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – përdorën spyëare të zhvilluar nga NSO Group për të hack-uar telefonët e mijëra kritikëve, gazetarëve, aktivistëve, politikanëve dhe drejtuesve të biznesit.

Një listë e rrjedhur prej 50 mijë numrash telefoni të synuar për mbikëqyrje u zbuluan nga organizatat jofitimprurëse të gazetarisë me bazë në Paris “Forbidden Stories” dhe Amnesty International dhe u nda me një konsorcium raportues, duke përfshirë “The Ëashington Post” dhe “The Guardian”.

Studiuesit analizuan telefonat e dhjetëra viktimave për të konfirmuar nëse ata ishin në shënjestër të Spyware-ve Pegasus të NSO-së, i cili mund të ketë qasje në të gjitha të dhënat e telefonit të një personi.

Raportet gjithashtu konfirmojnë detaje të reja të vetë klientëve të qeverisë, të cilat NSO Group i ruan nga afër.

Hungaria, një anëtare e Bashkimit Evropian ku privatësia nga mbikëqyrja supozohet të jetë një e drejtë themelore për 500 milionë banorët e unionit, emërtohet si një klient i NSO-së.

NSO Group hodhi poshtë pretendimet. Kompania ka deklaruar prej kohësh që nuk e di se kë synojnë klientët e saj, gjë të cilën e përsëriti në një deklaratë për TechCrunch të hënën e 19 korrikut.

Studiuesit në Amnesty, puna e të cilëve u rishikua nga Citizen Lab në Universitetin e Torontos, zbuluan se NSO-ja mund të dërgojë Pegasus-in duke i dërguar “viktimës” një link i cili kur hapet infekton telefonin, ose në heshtje dhe pa ndonjë ndërveprim fare përmes një “zero- klikimi”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore