Zgjedhjet në Shqipëri

Programi ekonomik: Basha premton uljen e varfërisë ekstreme me 50%


Lulzim Basha prezanton Planin Ekonomik të Partisë Demokratike

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Lulzim Basha, ka prezantuar të enjten objektivat e programit ekonomik me të cilën synon të kandidojë në zgjedhjet parlamentare, me 25 prill 2021.

Sipas tij, dyfishimi i ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë është objektivi parësor, ku synojnë të ulë varfërinë ekstreme me 50%.

Rinia shqiptare është një tjetër fokus “kryesor” i këtij programi me qëllim promovimin e talenteve dhe aftësive të reja.

Basha shpreh angazhimin e tij për të rritur pagën minimale në 36 mijë lek të reja në muaj. Kjo do të bëhet duke krijuar lehtësira për biznesin dhe duke rritur numrin e të punësuarve.

Ai premton të ulë taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh.

Gjithashtu ai premton të ulë sigurimet shoqërore në vlerën 18%. Totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme “nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros”.

Anulimi i taksës prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin është një tjetër objektiv i PD-së.

Basha premton të rrisë pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit, si dhe të ulë çmimin e energjisë elektrike e të karburantit.

Sipas tij, programi do të mbulojë shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj.

Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës. Ndërsa 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim.

Ai u shpreh se do të ofrojë 100 milionë euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore