Zgjedhjet në Kosovë

Programet e subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare


Foto ilustruese e një qendre të votimit në zgjedhjet e kaluara në Kosovë.

Fushata për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë ka filluar zyrtarisht me tre shkurt. Subjektet politike do të kenë afat prej 10 ditësh t’i shpalosin programet e tyre për qeverisje gjatë viteve të ardhshme dhe të fitojnë votat e qytetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me Aleancën Kosova e Re janë subjekti i parë që, përmes një videoje, ka prezantuar programin e vet qeverisës.

Hoti, si kandidat për kryeministër, në prezantimin e tij vëri theksin në disa prioritete.

“Prioriteti i jonë i parë është shëndetësia”, thotë Hoti. “Do të sigurohemi që qytetarët të vaksinohen kundër Covid-19, të fillojmë me sigurimet shëndetësore… dhe modernizim të pajisjeve mjekësore”

Si prioritet të dytë në programin e tyre, LDK-ja ka përcaktuar arsimin duke u zotuar që “ne do të rrisim pjesëmarrjen në arsimin parashkollor, të ulim numrin e nxënësve në klasë, të shkojmë drejt mësimit gjithë ditor”.

“Ne zotohemi në investime për fuqizimin e rinisë, punë praktike me pagesë, grante për biznese për të rinjtë, bursa për talente, njohjen e punës vullnetare”, potencoi Hoti.

Në mesin e premtimeve për lehtësime për kushte të kredive, subvencionime në normat e interesit, grante për biznese, fiskalizim digjital dhe liberalizim të tregut të energjisë, Hoti po ashtu paralajmëroi pagë minimale prej 300 euro pa dallim moshe.

Lëvizja Vetëvendosje po ashtu ka shpalosur programin qeverisës dhe “listën e referendumit” në një lidhje direkte në Facebook.

“Bartës i listës jam unë”, tha Albin Kurti, ndonëse në listën garuese për zgjedhje parlamentare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk është i përfshirë si kandidat për deputet.

Kurti po ashtu tregoi se numrin dy në listë e mban Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentes, dhe numrin tre e mban Glauk Konjufca.

Në programin politik shëndetësor të LVV-së përfshihet vaksinimi i 60 për qind të popullatës.

“Masat e veprimit do të jenë, vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i materialit mbrojtës, barnave e testeve, trajnimi i vazhdueshëm dhe rritja e kapaciteteve. Rritja e kapaciteteve në kujdesin parësor shëndetësor. Do të përgatitemi e të aplikojmë për anëtarësim në OBSH”, ishin disa nga prioritetet të cilat Kurti i përmendi në kuadër të shëndetësisë.

Lëvizja Vetëvendosje do të hapë sot fushatën në Pejë nga ora 12:30, ndërsa në ora 10:00 në qytetet e tjera si Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë e Ferizaj.

Partia Demokratike e Kosovës garon në krye me Enver Hoxhaj si kandidat për kryeministër.

Në shtjellimin e planit të rimëkëmbjes së politikës së jashtme dhe promovimit të Kosovës, Hoxhaj cilësoi politikën e jashtme si “vijën e parë të frontit” ku fillon mbrojtja e shtetit prej kërcënimeve nga jashtë.

“Sfidë kryesore në politikën e ardhshme do të jete anëtarësimi i Kosovës në OKB, Bashkim Evropian, NATO dhe përmbyllja e dialogut me Serbinë”, tha ai, duke shtuar që “Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis që shkon përtej Pakos së Ahtisaarit, që shkel kushtetutën e vendit ose që cenon sovranitetin ose integritetin territorial”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të hapë sot fushatën në Prizren nga ora 15:00. Në listën e kësaj partie prin Ramush Haradinaj i cili synon postin e presidentit të vendit.

Nisma Socialdemokrate, në krye me Fatmir Limaj, kandidat për kryeministër, po ashtu do të hapë sot fushatën zgjedhore nga ora 13:00.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Shih sondazhin e realizuar nga Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore