Sport

Luan Krasniqi, jeta dhe sporti nga Kosova ne Gjermani


Krasniqi grushtoi jetën dhe sportin e boksit nga Kosova e deri në Gjermani.

 

Nuk mund të godasësh atë që s’e sheh dot”. – Mohammad Ali

Në bazë të po të njejtës shprehje karakteristike e idhullit të tij, Mohammad Ali, Krasniqi grushtoi jetën dhe sportin e boksit nga Kosova e deri në Gjermani.

Luan Krasniqi mund të jetë i pari sportist i famshëm shqiptar i këtij fillim shekulli, që me sukseset e tij ndërkombëtare në sportin e boksit, i bëri shqiptarët; jo vetëm ata të Shqiperisë e Kosovës, por të mbarë botës; të ndiheshin krenarë.

Lindur në Junik të Gjakovës në 10 maj 1971. Krasniqi përfundoi studimet e shkollës fillore dhe të mesme, në Junik e u shpërngul nga vendlindja në 1987 për në Rottweil të Gjermanisë. Aty priste të bashkohej familjarisht me babain, i cili kish emigruar në Gjermani një vit përpara së Luani të lindte.

Krasniqi kish dashur përherë të mësontë boks, ndërkaq, në moshën 16 vjeçare, ai anëtarësohet te palestra lokale e ‘BSV Rottweil’. Atje krijoi njohje me trainerin e tij të ardhshem e të mirëfolur, Theo Kerekesch.

Falë talentit, Luani përfaqësoi Gjermaninë në Kampionatin Botëror të Amatorëve të 1995-ës në Berlin, nga ku mori vendin e dytë dhe fitoi medaljen e argjendtë duke u ndeshur me disa nga emrat më të medhenj të boksit – amator të asaj kohe, profesionist të famshëm të kohëve në vijim; si: Wladimir Klitschko dhe Sinan Samil Sam. Humbjen e vetme të kampionatit, Krasniqi e mori kundër një ndër boksierëve amatorë më të mirë të të gjithë kohërave, Felix Savon.

Një vit më pas, në Kampionatin Evropian të 1996-ës, Krasniqi mposht në finale Christophe Mendy-n dhe fiton titullin e Kampionit të Evropës.

Në Lojërat Olimpike Verore të 1996-ës, në Atlanta të SHBA-ve, Krasniqi synonte medaljen e artë, por në gjysmë-finale me Felix Savon-in, pafatësisht pëson një çarje poshtë syrit, ç’ka bën që doktori i ring-ut të deklaroi ndërprjerje klinike. “Ndjeva se mund ta kisha mundur atë”, do të deklaronte Krasniqi pas ndeshjes. Gjithësesi mori medaljen e bronxit dhe kjo ishte e para medalje e Gjermanisë në kategorinë e peshave të rënda, që nga viti 1976.

Karriera si profesionist

Pasi fashit suksesin si amator, Luani fiton duelin kundër Harry Senior-it si profesionist, duke korrur famë të mjaftueshme për t’i tërhequr vëmendjen Lennox Lewis. Lewis e mori për stërvitje në Big Bear Lake për ndeshjen kundër Andrej Golota-s. Më pas dhe për Shannon Briggs, Zhelko Mavroviç dhe Evander Holyfield.

Luan Krasniqi i kapërceu me sukses pengesat e para të karrierës si rishtar në boksin profesionist. Ai boksoi jashtëzakonisht me sukses për Panix Promotion 15 herë dhe në vitin 2000, pasi Lennox Lewis zgjidhi kontratën e tij, Luani lidhet me Universum Box-Promotion dhe nënshkruan një kontratë tre vjeçare me këtë kompani promotore.

Ngjarja kryesore e karrierës së tij, ishte mposhtja e Rene Monse-së. Fitorja kundër atij, e bëri Kampion Evrope. Krasniqi ishte Kampioni i parë Gjerman i Evropës pas 29 vjetësh.

Luan Krasniqi e mbylli rekordin si boksier profesional, me 30 fitore, prej të cilave 14 me nokaut, katër humbje dhe një barazim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore