Bota

Profil/Jacinda Ardern, politika në dorë të gruas


“Për mua, lidershipi nuk ka të bëjë domosdoshmërish me të qenit më i zellshmi në dhomë, por përkundrazi me të qenit ura lidhëse, ose ajo që i mungon diskutimit dhe të përpiqesh të ndërtosh një konsensus nga ajo pikënisje”.

Jacinda Ardern, një nga udhëheqëset më të reja të zgjedhura në botë, vetëm 37 vjeçe, është udhëheqësja e dytë botërore që ka “lindur” ndërsa ishte në detyrë.

Ajo u përball me sulmin e parë terrorist të Zelandës së Re në historinë moderne, ku u vranë 51 njerëz. Gjithashtu ia doli mbanë pas një shpërthimi vdekjeprurës vullkanik dhe nuk duhet lënë mënjanë ecuria pozitive në pandeminë e Covid-19.

Kush është Jacinda Ardern?

Jacinda Ardern u lind në Hamilton, më 26 korrik 1980. Më pas, familja e saj u transferua në Murupara, ku babai i saj Ross punonte si polic. Ardern i pëlqente jetesa në pemishten e Murupara-s dhe aty mësoi të ngiste një traktor përpara se të drejtonte një makinë.

Sa i takon karrierës, Ardern e filloi karrierën e saj politike që në shkollë të mesme. Shkak u bë një projekt shkollor. Jacinda intervistoi ish-deputeten Marilyn Waring dhe mbeti shumë e impresionuar prej saj. Iu duk shumë miqësore dhe mjaft bashkëpunuese. Vite më vonë, as ajo vetë nuk e dinte që do të pasonte pikërisht Waring në detyrë.

Lidershipi

Nuk ka dyshime që kryeministrja e Zelandës së Re duhet të jetë në krye të çdo liste të lidershipit për vitin 2020, pa diskutuar lidershipin e grave.

Përgjigjja e Zelandës së Re ndaj Covid-19 ishte një nga më të efektshmet në të gjithë botën dhe në zemër të saj ka qenë marka unike e politikës të Jacinde-s.

Duke përdorur fuqinë e mediave sociale, ndërsa vazhdonte konferencat tradicionale për shtyp, ajo ishte në gjendje ta mbante vendin e saj të informuar për veprimet e shpejta dhe holistike që qeveria po ndërmerrte së bashku me rëndësinë e masave të distancimit fizik.

Për të matur efektivitetin e udhëheqjes së saj, numrat flasin vetë. Për gjatë 2020-s, vendi u përball vetëm me 25 vdekje që kishin lidhje me Covid-19. Muaj përpara se të bëhej e disponueshme çdo vaksinë, Zelanda e Re iu kthye normalitetit, duke u përzier në turma pa maska, duke qenë se eliminuan me sukses çdo transmetim lokal.

Gjithashtu Jacinda ka vazhduar të shtyjë kufijtë e politikës së vendit të saj. Pas fitores së saj të madhe në tetor, ajo caktoi kabinetin më të larmishëm në historinë e Zelandës së Re. Nga 20 anëtarë, tetë janë gra, pesë janë autoktonë Māori, tre janë Pasifika dhe tre janë LGBTQIA+.

 

Ndikimi në politikë

Zelanda e Re u shkatërrua kur 51 njerëz të pafajshëm u vranë gjatë sulmit terrorist të Christchurch në 2019. Ishte ky momenti kur Jacinda i tregoi botës aftësitë e saj të para të vërteta drejtuese.

Duke mbajtur një qëndrim në arenën politike, forca dhe ndikimi i saj shkëlqyen nëpërmjet komunikimit të saj të drejtpërdrejtë. E veshur me një hijab të zi, kryeministrja mbërriti me shpejtësi në Christchurch, për të biseduar me udhëheqësit politikë të të gjitha partive.

Qëndroi me udhëheqësit islamikë dhe ngushëlloi përzemërsisht familjarët e viktimave. Ajo shtrëngoi ligjet për armëmbajtjen brenda 10 ditëve, siguroi që funeralet të paguheshin dhe zbatoi mbështetjen e përhershme financiare.

“Martin Luther King ka thënë që udhëheqësit e mirëfilltë nuk kërkuan konsensus, por e formësuan atë”, shkroi Suzanne Moore në gazetën britanike The Guardian. “Ardern ka formuar një konsensus tjetër, duke demonstruar veprim, kujdes, unitet”, theksoi ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore