Lajme

Profesoresha Kica-Xhelili dhe filloristja e vonuar Haxhiu – një leksion në Parlament


Foto nga Albanian Post

Albulena Haxhiu dhe Doarsa Kixa-Xhelili nuk jetojnë në të njëjtën epokë. Ndarjen – si me thikë – e kanë bërë në një debat rreth një nisme anakronik që ministrja Haxhiu e ka sjellur në Kuvend të paketuar në formë projektligji.

Të dyja flisnin në foltore, por dallimi në argumentim e bënte të vështirë që debati të perceptohej si një ngjarje e njëkohshme. Xhelili-Kica fliste nga viti 2022, Haxhiu fliste nga një vit tjetër, i largët.

Derisa deputetja e LDK-së bënte zbërthime profesionale duke treguar se si projektligji bie ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe përbën pamundësi të realizimit faktik për shkak të absurditetit juridik që prezanton, Ministrja e Drejtësisë në pamundësi për të përcjellur argumentin juridikisht prodhonte fraza politike duke tentuar të prezantojë mashtrueshëm emocion te grupi që synon nisma.

Çfarë ndodhi sot në Kuvend?

Pas rasteve të shumta të vrasjeve të grave në Kosovë, kryesisht nga bashkëshortët dhunues dhe e gjendur nën presion të madh shoqëror për mosveprim, Haxhiu ka sjellur në Kuvend një projektligj që pos tjerash propozon që dhunuesi potencial të dërgohet automatikisht në paraburgim, pa u marrë parasysh fare specifikat individuale të rastit.

Sipas këtij projektligji, s’ka lidhje asnjë fakt në terren, madje as që duhet të shikohen faktet, por automatikisht personi i denoncuar dërgohet në paraburgim.

Doarsa Kica-Xhelili, duke u thirrur në shembuj konkret nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, tregoi amatorizmin e shfaqur në këtë propozim dhe argumentoi juridikisht pse nuk duhet të votohet propozimi dhe çfarë pasojash do të sillte po të ndodhte.

“Është eufori propozimesh të pamenduara mirë”, tha Xhelili-Kica, “pavarësisht qëllimeve”, por kjo “eufori do t’i kushtonte viktimës”, shtoi ajo dhe tregoi pse.

Se propozimi “për paraburgim automatik” është i pazbatueshëm e konstatojnë qindra raste si precedent.

Për shembull, në Rastin Ilijkov kundër Bullgarisë, Gjykata Evropiane ka marrë vendim që “Ligjet nacionale që lejojnë privimin automatike nga liria janë në kundërshtim me nenin 5.3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sepse pamundësojnë kontrollin diskrecional gjyqësor mbi vlerësimin e rrethanave për përcaktimin e masës së paraburgimit”, shpjegoi Xhelili-Kica.

“Paraburgimi me automatizëm për një vepër penale, pa lejimin që gjykata të vlerësojë rrethanat rast pas rasti është në kundërshtim të hapur me nenin 5.3 të konventës evropiane”, vazhdonte shpjegimin – por, për kë – ajo.

Pra, fare qartësisht, s’mund ta burgosësh dikë veç pse denoncohet nga dikush tjetër.

Prandaj, deputetja-juriste deklaroi se edhe po të kalojë ky ligj për hir të euforisë së momentit dhe të mos e dërgojë askush në Gjykatën Kushtetues nga deputetët – e cila do ta rrëzonte menjëherë – do dilnin probleme të tjera, shumë të mëdha në të ardhmen.

“Le të kalojë ky sot dhe ne nuk e dërgojmë në Kushtetuese. Së pari vetë gjykatat që i zbatojnë këto ligje e kanë për detyrë që të bëjnë kërkesë në Gjykatë Kushtetuese kur dyshojnë që kemi të bëjmë me nene kundër-kushtetuese”.

“Nëse ne këtu, ende pa hy ne fuqi ky kod, tashmë kemi arritur ta evidentojmë këtë shkelje, a nuk do t’iu kujtohej kjo të atyre që i përfaqësojnë dhunuesit?”.

Dhe, “kur kjo të vlerësohet, personi i denoncuar do të ketë të drejtë që të kërkojë të holla nga shteti, sepse nëse del i pafajshëm, ka mbajtur paraburgim pa nevojë”.

“Nëse ne mendojmë që duke shkelur nenin 5 të Konventës e legjitimojmë vetveten për faktin që si eufori kemi të drejtë të kërkojmë maksimalisht, si Kuvend nuk mund të sillemi sikur kemi apati dhe panjohuri totale juridike”, vazhdoi zbërthimin Kica-Xhelili.

Dhe, pos tjerash, “në momentin e parë që do hynim në Këshillin e Evropës, a e imagjinoni sa nga këto raste do të shkonin në gjykatë evropiane për të drejtat e njeriut?”.

Rrjedhimisht, proceset gjyqësore do të zgjateshin me labirinte të drejtësisë dhe viktimat e dhunës do të mbeteshin në pritje të proceseve e procedurave që asnjëherë s’do merrnin fund, ose do përfundonin në dëmin e tyre.

Haxhiu mori fjalën për kundër-replikë, por në fjalinë e saj nuk kishte zbërthime juridike të argumenteve të Xhelili-Kicës.

Patetike dhe me populizëm, Haxhiu vendosi të merret me motivet e deputetes dhe jo me shtrimin e saj.

“Unë prita që përfaqësuesit e popullit mos me marr detyrën e mbrojtjes së kriminelëve, përfaqësuesit e popullit i mbrojnë qytetarët”, tregoi atë që e dinë të gjithë Haxhiu.

Për të vazhduar me shtrembërim mimike e zbutje zëri pastaj, se “sidomos në këtë foltore të Kuvendit, duke pasur parasysh që edhe viktimat po na dëgjojnë bre Doarsë”.

“Kur dëgjoj çka flitet në këtë foltore them ‘sa keq që po na dëgjojnë qytetarët’”, shtoi ministrja, “kjo çka ke thënë ti është qesharake”, pohoi, por pa treguar asnjëherë pse është qesharake.

A është e vërtetë ajo që tha Kica-Xhelili për rënien ndesh me Konventë Evropiane ministre?

S’përgjigjet në këtë pjesë ajo, por vazhdon me deklarimin se “sot kam pritur unifikim përballë rasteve të dhunës në familje”.

Duke mos dhënë përgjigje në vërejtje, Haxhiu kaloi të vërejtjet e veta – jo profesionale gjithsesi.

“Përfaqësuesit e popullit është dashur me fol…ti më shumë fole si ta mbrosh dhunuesin se viktimën”.

“Në vend që të unifikohemi ju më përmendni shtetet e unifikuara ku funksionon sundimi i ligjit”, prodhoi gafën Haxhiu.

Pra, sipas ministres, në Kosovë duhet të bëhen disa ligje që janë të përshtatshme për vende ku nuk funksionin ligji, rrjedhimisht nuk duhet të merret parasysh diçka si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Me u thirr në vendime të gjykatave të Strasburgut…”, e sugjeroi Haxhiu kolegen nga LDK, “me manipulu me interpretime të ndryshme, mu thirr në vende ku funksionon ligji…”.

Prapë, nuk shpjegoi se cili është manipulimi. Vetëm e konstatoi atë dhe më pas prodhoi një nga frazat patetike të radhës.

“Si grua dhe si nënë është dashur që të jemi bashkë në këtë betejë. Kjo qasje është për keqardhje”.

Kica-Xhelili replikoi. Por, përsëri duke bërë zbërthime profesionale të amatorizmit të ministres.

“Sapo e dëgjuam ministren e drejtësisë që na tha publikisht s’kemi nevojë për konventën evropiane për të drejtat e njeriut. S’kemi nevojë për praktikën e Strasburgut”.

“Do të thotë”, shtoi ajo “në qoftë se qenka legjitime të lejojmë paraburgimin automatik që e ka ndaluar Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut pse s’kemi shku me lejimin e vetëgjyqësisë”.

“Me Kanun e kemi pasur sy-për-sy, por ka qenë konventa ndërkombëtare që e ka ndaluar, pse s’po e lejon vetëgjyqësinë?”, ironizoi deputetja.

“Në momentin kur ministrja flet për faktin që jam nanë dhe kam vajzë e moralizon vetëm se unë jam në gjendje t’ia zbërthej euforinë e vendimeve që i sjellë në Kuvend, çka po pritni ju nga kjo ministre”, ishte pyetja retorike.

“Po më vjen keq, që unë po iu tregoj që nuk gjasa që kjo dispozitë të zbatohet. Por. për këtë ministre nuk është e rëndësishme të zbatohet dispozita ose jo, për këtë ministre është e rëndësishme të kalojë projekt kodi”.

Normalisht, në vazhdimin e fjalimit, ministrja supozohej të tregonte përse nuk qëndron argumenti i deputetes së çfarë propozon ajo si qeveri përbën shkelje të Konventës të të Drejtave të Njeriut, por jo.

“Edhe një çështje tjetër”, nisi fjalimin Haxhiu, “në fakt me herët the tani që shteti këtyre do t’iu paguaj të holla…, pra ju po deklaroni me këtë që ka mundësi që viktimat manipulojnë, prandaj shteti duhet t’i paguajë”, tentoi prapë me një populizëm të lodhur të fitojë simpatinë e dëgjuesve potencialë pas argumentimit të humbur.

“Është për keqardhje”, përsëriti, duke thënë më pas një nga fjalitë e vetme të sakta në gjithë fjalimin: “Thjesht nuk kam fjalë”, deklaroi ministrja. Këtu po që kishte të drejtë.

Në pamundësi për të diskutuar profesionalisht me një juriste, Kica-Xhelili në replikën e radhës u mor me tendencën e Haxhiut për debat elektoral.

“Në momentin që unë dal në foltore dhe jam në gjendje ta marr faturën politike për t’i thënë ato që i thash, kur me lehtësi mund të votoj dhe ky ligj të kalojë dhe më pas viktimës t’i shfaqen probleme gjatë procedurës penale, e unë të jem e ulur në këtë karrige, unë nuk do ta bëj, nuk jam për atë këtu”.

“Nëse ke kundër argumente në kuptimin juridik, të lutëm fol. Zbërtheje”, e ftoi ajo ministren, e vetëdijshme tashmë që ftesa nuk do t’i pranohet.

“Seriozisht ti po mendon që ke legjitimitet të më moralizosh mua? Unë paguaj kosto politike për t’i thënë ato që ti nuk guxon, sepse ti do vetëm përfitim politik? Unë nuk jam këtu për atë arsyeje. Ti mund të jesh, unë jo”.

“Ti del e ri-moralizo prapë, edhe pse tash po e shoh që qenka e pritshme ta bësh. Por, thjesht më trego juridikisht pse për ty është e parëndësishme praktika e Strasburgut?”.

Ministrja nuk tregoi pse është për të e parëndësishme praktika e Strasburgut. Ministrja nuk tregoi as që e njeh këtë praktikë. As që është juriste madje.

“Ju e keni veç një mision, atë që masa dëshiron të dëgjojë, pavarësisht se ata mund të pësojnë, por për ju vetëm është e rëndësishme që të thuash e ‘solla në Kuvend’. Por, për mua është e rëndësishme se çka ne sjellim këtu të jetë e zbatueshme. Kur iu them viktimave ‘po e bëj për juve’, unë dua t’iu garantoj se do të zbatohet. Dil the thuaj ti se mund t’u ofrosh garanci”.

Haxhiu doli, por vetëm për të prodhuar edhe një dozë patetizmi.

Përkundër përpjekjeve të Kica-Xhelilit për ta angazhuar ministren në debat profesional, deputetja nuk ia doli.

“Unë kam probleme me njerëzit që sapo ndryshojnë karrigen e ndryshojnë gjuhën, nuk mund të të marr seriozisht, më vjen keq”, tha Haxhiu.

“Nuk i marr seriozisht njerëzit që e kanë hallin e vetvetes, sesa të viktimave. Je vetëm farsë… farsë pra”, pohoi Haxhiu, duke lënë të kuptohet se pos Kica-Xhelilit, seriozisht s’e kishte marrë as atë që propozoi në Kuvend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore