Lajme

Profesionistë pa diplomë, apo të diplomuar pa profesion?


Ishte viti 2015, kur i riu Endrit Hoxhaj, duhej të merrte vendimin për të zgjedhur degën e studimeve universitare. Në atë kohë vendosi që të studionte në Universitetin e Shkencave Sociale.

Sot, për Albanian Post (AP), ai thotë se ndoqi këtë rrugë, pa studiuar tregun e punës, dhe se ende nuk ka mundur të gjejë një vend për t’u punësuar.

“Nëse do të më jepej mundësia, sot do të zgjidhja një degë tjetër, ose do të kisha ndjekur një formim profesional”.

Si Endriti mund të ketë shumë të rinj, të cilët kanë zgjedhur një degë studimi pa marrë një orientim karriere.

Tanimë, të rinjtë kanë më shumë mundësi informimi përpara se të zgjedhin apo të marrin një vendim se ku do të studiojnë.

Një pengesë e madhe me të cilët ata përballen, është mungesa e përvojës së punës.

Duke marrë parasysh konkurrencën e tregut të punës, punëdhënësit shpeshherë preferojnë të diplomuarit me eksperiencë pune.

Papunësia e të rinjve mbetet ende në një shkallë të konsiderueshme. Shkalla e papunësisë së tyre ishte 28% në vitin 2019.

Të rinjtë përballë tregut të punës

Të rinjtë përbëjnë një të tretën e popullsisë në Shqipëri.

Sipas Raportit të Tregut të Punës në Shqipëri, rreth gjysma e personave të grupmoshës 14-64 vjeç janë të përfshirë në forcat e punës.

Ky raport nxjerr në pah se politikat mbi tregun e punës duhet të orientohen më shumë drejt përfshirjes së të rinjve.

Por, sa të orientuar janë këta të rinj në tregun e punës? A hasin vështirësi në zgjedhjen e karrierës apo në orientimin profesional? A arrin të punësohet shumica e të rinjve që përfundon një cikël studimi apo arsimi profesional? Sa është hendeku midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës?

Raporti i fundit i INSTAT-it bën me dije se shkalla e punësimit për popullsinë 15 deri në 64 vjeç është 60.2 %.

Ndërkohë që shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri për moshën 15 vjeç e lart është 11.8%.

Midis sistemit arsimor dhe punësimit vërehet një mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës. Nga kahu i ofertës ka një tejkalim të të diplomuarve në shumicën e fushave të studimit, kryesisht në biznes, administrim dhe drejtësi. Vërehet një mungesë e të diplomuarve në shkenca natyrore apo ato ekzakte.

Sa i rëndësishëm është orientimi i të rinjve në tregun e punës?

Tregu i punës po ndryshon me ritme të shpejta dhe të vazhdueshme, ndaj studimi, informimi dhe orientimi veçanërisht për të rinjtë vlerësohet si tepër i rëndësishëm, duke marrë parasysh faktin që kjo grupmoshë vuan më tepër fenomenin e papunësisë në Shqipëri.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) shkruan se shkalla e punësimit në Shqipëri është në rritje.

ILO dëshmon se Shqipëria ka shkallën më të lartë të Punësimit midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor (67% në 2019).

Sipas Raportit, “Hapat e Parë në Tregun e Punës”, të Deloitte Albania, të rinjtë në Shqipëri dëshirojnë kryesisht të eksplorojnë më shumë mundësi punësimi jashtë vendit se brenda vendit.

Me shumë gjasa, kjo ndodh pasi Shqipëria është një vend i vogël, me një numër të limituar qendrash zhvillimi ekonomik dhe industrialë. Pjesa më e madhe e tyre është përqendruar në Tiranë.

Këshillimi dhe orientimi i karrierës së të rinjve

Të rinjtë vazhdojnë të sfidojnë papunësinë, por nga ana tjetër ka dhe një sërë programesh të ndryshme që u vijnë në ndihmë për t`u këshilluar për karrierën e tyre.

“Your Job” i Caritas Albania është një nga projektet ballkanike të implementuara në Shqipëri. Gjithashtu zbatohet dhe në vendet fqinje, si: Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi.

Judona Troshani, këshilluesja e Karrierës pranë kësaj organizate, pohon për AP-në se të rinjtë hasin vështirësi në punësimin e tyre. Ndërkohë që thekson se ky projekt synon të fuqizojë të rinjtë nga mosha 15 deri në 30 vjeç.

Ajo rrëfen se, gjatë zbatimit të projektit, kanë hasur hendeqe apo problematika të ndryshme.

Këshilluesja e karrierës vë në dukje se nuk ka një orientim karriere që në moshë të hershme apo në nëntëvjeçare tek të rinjtë.

“Të rinjtë nuk kanë një këshillim karriere nga profesionistë që të orientohen sipas aftësive profesionale që ata kanë”, thotë Troshani.

Thelbi i projektit është fuqizimi i të rinjve në orientimin profesional apo në udhëzimin e karrierës. “Shtylla të tjera të rëndësishme”, sipas saj, “mbeten mbështetja për t`u ofruar të rinjve eksperiencën  e parë të punës, si dhe nxitja e tyre për sipërmarrje duke i mbështetur me një grant”.

Dilema midis arsimit profesional dhe shkollimit të lartë

Në një diskutim në kuadër të projektit “Aftësi për Punë”, ministrja e Financave, Anila Denaj,  theksoi se qeveria shqiptare ka rritur mbështetjen e saj për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri.

Numri i nxënësve që ndjekin arsimin profesional është rritur me 35%.

Në Shqipëri ekzistojnë 35 shkolla të arsimit profesional, tek të cilat gjenden 85 profile studimi.

Një tjetër projekt në Shqipëri që mbështet arsimin profesional është “Aftësi për Punë”, i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili zbatohet nga organizata Swisscontact.

“Aftësi për Punë” adreson sfidat kryesore në Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP), duke investuar për sigurimin e ndryshimeve sistematike, zhvillimin e kompetencave dhe fuqizimin e aktorëve kyç.

Ky projekt synon të mbështesë 10 mijë nxënës dhe 6 mijë kursantë.

Për të gjithë nxënësit, për përzgjedhjen e karrierës së tyre, ndër të tjera “Aftësi për Punë” ka hartuar përshkrime për 26 profesione, në mënyrë që t`u paraqesë të rinjve një pasqyrë më të qartë për profesione të caktuara.

Shumica e të rinjve të pyetur nga Albanian Post pohojnë se kanë më shumë hapësira për t`u informuar apo për t`u orientuar në karrierë, ndonëse thonë se mbeten shpeshherë të pavendosur nëse duan të ndjekin ëndrrat e tyre, apo thjesht të vendosin në bazë të kërkesave të tregut të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore