Tregjet

Prodhuesi më i madh i makinave në Kinë prezanton rivalin e Tesla-s


Kompania më e madhe e prodhimit të makinave në Kinë, Geely, është duke hedhur në treg një markë të re, e cila synon të konkurrojë Tesla-n.

Geely, pjesë e të cilës janë edhe markat Volvo e Lotus, njoftoi se marka do të quhet Zeekr dhe se do të plotësojë nevojat e tregut kinez për makina elektrike.

Nisma e kompanisë kineze vjen në një kohë, kur Elon Musk-u vijon me planet e tij për të zgjeruar Tesla-n e tij në Kinë, në kuadër të përpjekjes për uljen e emetimeve të karbonit në atmosferë.

Ambiciet e Geely-t janë të zhvillojë dhe prodhojë një model të makinave elektrike me cilësi të lartë. Njoftimi bënte me dije se pritshmëritë janë që, në tremujorin e tretë të vitit 2021, të nisin me shpërndarjen e makinave.

Risia e nismës është krijimi i një marke, të dedikuar vetëm për prodhimin e makinave elektrike. Kompania është e njohur me procesin e prodhimit elektrik edhe më herët.

Polestar-i është dega e Volvo-s, e cila tashmë zhvillon makina elektrike. Zyrat qendrore të saj janë në Suedi, ndërsa procesi i prodhimit është i vendosur i tëri në Kinë.

Ndërkohë Lotus, shumica e aksioneve të së cilës zotërohen nga Geely, është gjithashtu duke punuar për një model të makinave elektrike që quhet Evija.

Zeekr-i, si një kompani rishtare vendase në tregun e makinave elektrike në Kinë, do të përballet me konkurrencën e fortë të Tesla-s. Modeli 3 i kësaj të fundit është makina më e shitur vitin e shkuar në Kinë. Por, gjithashtu, do të duhet të mundë edhe konkurrencën e kompanive të tjera vendase që operojnë në mënyrë të qëndrueshme për momentin në Kinë, Nio, Xpeng-u dhe Li Auto-ja.

Kompani të tjera evropiane dhe aziatike, si Citroen-i francez apo Nissan-i japonez, kanë shfaqur planet e tyre për të shitur makinat e tyre elektrike në tregun kinez brenda korrikut të vitit 2021.

Trendi i lartë i shtimit të kësaj kategorie makinash vjen si pasojë e politikës së Pekinit, që shprehimisht ka kërkuar që një e pesta e makinave, që shiten në Kinë deri në 2025-ën, të jenë elektrike.

Kështu, qëllimi fillestar i Zeekr-it do të jetë të zërë një vend të rëndësishëm në tregun vendës, për të parë më pas mundësitë e zgjerimit në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore