Auto

Prodhuesi lider i makinave në Indi përgjysmon kapacitetin prodhues


Prodhuesi indian i automjeteve, Maruti Suzuki, mund të përgjysmojë kapacitetin prodhues në disa nga pikat e saj të shitjes në Azinë Jugore për shkak të rritjes së madhe të infektimeve me COVID-19.

Agjencia e lajmeve, Bloomberg, zbulon se lëvizja ka lidhje me problemin e shitjes pasi në disa nga shtetet ka një bllokim të pjesshëm ndërsa në shtete të tjera ka shtetrrethim çka detyron tregtarët e makinave të mbyllen.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kompanisë, R. C. Bhargava, gjatë një interviste për Bloomberg, i cili ka thënë se “gjysma e pikave të shitjes janë mbyllur për momentin”.

Para se të vendoste për t’u mbyllur, prodhuesi më i madh i makinave në Indi, po punonte me kapacitet të plotë.

Bhargave ka thënë se “ende duhet të jemi në gjendje të prodhojmë me 50 për qind deri në 60 për qind të kapacitetit”.

Këto janë kohë të vështira për prodhuesit vendas pasi India po përballet me një shpërthim serioz të COVID-19 ku janë shënuar rekorde vdekjesh dhe raste të reja mbi 350 mijë çdo ditë.

Situata e infektimeve të shtuara ka kthyer disa qytete në bllokim dhe biznese të mbyllura duke dhënë një goditje tjetër për tregun e katërt më të madh në botë të makinave, i cili po rimëkëmbej nga ngadalësimi i madh i shitjeve.

Gjatë tre ditëve të fundit, kompania ka pësuar një rënie të shitjeve me rreth pesë për qind të porosive çka është një shenjë përkeqësimi që tregon se pandemia po godet kërkesën e konsumatorëve.

Por, Maruti nuk është e vetmja kompani që ndjen goditjen e pandemisë. Edhe Hero MotoCorp, prodhuesi i motorëve, ka ndaluar përkohësisht të gjitha objektet e prodhimit në përgjigje të rritjes së infektimeve.

Ndërsa Ashok Leyland ka zvogëluar operacionet e disa prej impianteve të saj që pritet të punojnë vetëm për shtatë deri në 15 ditë në muajin maj.

“Nëse bllokimet e fabrikave dhe qyteteve zgjasin për dy muaj, atëherë vëllimet e industrisë do të pësojnë një rënie prej afro pesë për qind në shtatë për qind”, ka thënë Basudeb Banerjee, analist te Ambit Capital Pvt në Mumbai.

Ai ka shtuar se “industria e automjeteve kontribuon rreth gjashtë për qind të PBB-së, ajo është përgjegjëse për krijimin e vendeve të punës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore