Shqipëria

Prodhimi i kriptove, i ligjshëm apo jo?


Një aksion “nga më të mëdhenjtë” e ka cilësuar Policia e Durrësit sekuestrimin e 210 makinerive për prodhimin e kriptomonedhave të premten e 21 janarit.

Ngjarja ndodhi në fshatin Pjesëz të Shijakut.

Makineritë e sekuestruara ndodheshin brenda një magazine, të cilën e kishin marrë me qira persona nga Tirana.

Sipas burimeve policore, gjatë aksionit, është arrestuar edhe shtetasi me iniciale A.Ç., i cili kishte funksionin e mirëmbajtësit, në laboratorin e përshtatur për kriptovalutat.

Fill pas ngjarjes, për mediat, reagoi edhe Enxhi Hasani, i cili është administratori i firmës “CRYPTO WORLD 2 sh.p.k”, e cila kishte në pronësi makineritë dhe paguante qiranë e godinës.

Sipas Hasanit, aksioni është “komplet blof”, sepse nuk ka asnjë bazë ligjore.

Madje, ka bërë me dije ai, firma ka lidhur kontratë të rregullt me OSHEE-në, makineritë janë të zhdoganuara, ndërsa biznesi është i deklaruar edhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

“Arrestim blof”

Edhe Besmir Semanaj, ekspert i teknologjisë dhe informacionit në Austri, për Albanian Post thotë se operacioni i policisë në goditjen e kompanive që prodhojnë kriptomonedha është thjesht “një show mediatik” dhe një “blof ligjor”.

Sipas tij, mjaft të shihen katër pika, për të kuptuar se i gjithë operacioni ishte “flluskë sapuni”.

Së pari, thotë ai, “kompania është e regjistruar në QKB”.

Sa u përket pajisjeve të përdorura, argumenton më tej eksperti, janë të futura përmes doganave dhe janë të ligjshme.

“Nëse nuk janë, arrestimet duhet të nisnin nga Doganat”, ravijëzon Semanaj.

Një element tjetër, ku ndalet ai, janë faturat e energjisë elektrike.

“Nëse shohim faturat e energjisë elektrike dhe nuk janë paguar, arrestimet duhet të ishin për mospagim dhe jo si krim kompjuterik”, shpjegon eksperti.

Po ashtu, “nuk mund të kemi arrestim të punonjësve, edhe sikur një kompani shkel ligjin”.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë kompjuterike në Policinë e Shtetit, Hergis Jica, deklaroi se prodhimi i kriptovalutave përfshin edhe krimin e “mashtrimit kompjuterik”.

Njëjtë si eksperti Semanaj mendon edhe juristi Indrit Sefa, i cili thotë që krijimi i kriptomonedhave nuk është vepër penale dhe e ndaluar nga institucionet shqiptare penale.

Çfarë thotë ligji?

Ligji shqiptar e përcakton se, të prodhosh kriptovaluta, duhet më parë të marrësh licencën për këtë veprimtari.

Licenca merret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), kryejnë mbikëqyrjen e këtij tregu.

Eksperti Semanaj sqaron që në Shqipëri ekziston një ligj për bursat dhe shitblerjen e kriptomonedhave. Por, shton ai, “ky ligj është miratuar në errësirë të plotë”.

“Aktet nënligjore nuk janë miratuar akoma. Ligji u miratua në kohë rekord dhe pa diskutime. Në atë kohë pyeta disa deputetë dhe nuk e dinin çfarë ishte dhe kur e kishin votuar”.

Më tej, Sefa shton se prodhimi i tyre “kërkon një sasi shumë të madhe energjie dhe një investim shumë të madh teknologjik”.

Eksperti Semanaj aludon se prodhimi i kriptovalutave nuk është i jashtëligjshëm, për sa kohë kompanitë edhe individët paguajnë energjinë elektrike.

Sipas tij, nëse bazohemi vetëm te deklarata e policisë dhe tek informacionet që janë bërë publike deri tani, aksioni policor ishte “nul”, për vetë faktin që në Shqipëri nuk ka ligj që ndalon prodhimin e kriptove.

“Personalisht njoh shumë persona që, për arsye studimore apo testuese, bëjnë mining në telefon. Nëse bazohemi te lëvizjet e fundit të policisë, i bie që çdo shqiptar, duke ia nisur nga unë të ndalohet dhe arrestohet”, përmbyll ai.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore