Lajme

Procesi i vaksinimit, Australia mes Bolivisë dhe Shqipërisë


Sipas mediave vendase të Australisë, çështja e vaksinimit të qeverisë federale australiane është e ngatërruar.

Javën e kaluar, qeveria humbi objektivin e saj, duke u renditur e 90-ta në botë sa i përket administrimit të dozave të vaksinave.

Australia gjendet mes Bolivisë dhe Shqipërisë, me vetëm 2.34 doza të administruara për 100 persona.

Ekspertët e pranojnë këtë fakt, ndërsa njëri prej tyre e etiketon situatën si një “katastrofë moszbatimi”.

Sipas mediave, shtetet janë në dijeni të situatës. Kryeministri i New South Wales, Gladys Berejiklian, mëngjesin e 6 prillit pranoi se qëllimi i Commonwealth-it për t’i vaksinuar të gjithë deri në tetor do të ishte një “shtrirje e madhe”.

Edhe News Corp , The Australian, The Daily Telegraph dhe news.com.au janë duke transmetuar histori të shumta, pasi analiza e Newspoll të hënën e 5 prillit, në mbrëmje e nxjerrin qeverinë në “rrezik elektoral” në elektoratet e saj tradicionale.

Të vetmit, që nuk mund ta pranojnë këtë, sipas mediave australiane, është qeveria federale.

Ata vazhdojnë të insistojnë se gjërat janë nën kontroll, pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën.

Qeveria po bën gjithçka mundet me pretendimin se kjo nuk është një krizë. Kryeministri Scott Morrison këmbënguli për muaj me radhë se shpërndarja nuk është “një garë” (ose, nëse është, “është një maratonë, jo një sprint”, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Greg Hunt).

Më 1 prill u bë e qartë se objektivi ishte humbur.

Departamenti i Shëndetësisë pohoi se shpërndarja nuk ka mbetur mbrapa, ndërsa Hunt e përshkroi, si “një rezultat të jashtëzakonshëm”.

Këtë mëngjes, Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Mjekësisë, Michael Kidd, foli për shpërndarjen e vaksinave në ABC News.

Ai u shpreh se Australia tani po shpërndan “ekuivalentin” e asaj që Shtetet e Bashkuara po jep çdo ditë, “në rang popullsie”.

“Ky ka qenë gjithmonë një program, i cili do të përshpejtohet me kalimin e kohës”, argumentoi ai.

Duke folur për mediat këtë mëngjes, zëdhënësi i Shëndetit të Punës, Mark Butler, i bëri thirrje kryeministrit të “gëlltisë krenarinë e tij” dhe “të pranojë që strategjia e tij ka dështuar”.

“Ata duhet të pranojnë se fushata e vaksinimit nuk po shkon mirë”, tha ai. “Ata duhet ta pranojnë këtë, duhet t’i sjellin njerëzit rreth tryezës dhe të rregullojnë strategjinë e tyre në përputhje me rrethanat”.

Duket se ekzistojnë një numër arsyesh pse shtrirja e vaksinave në Australi është shumë prapa planeve. Por, meqë qeveria nuk dëshiron të pranojë se problemi ekziston, ajo ngurron të kapet pas ndonjërës prej tyre.

Zgjidhja më e spikatur aktualisht është ajo e vendeve të vaksinimit masiv: konvertimi i stadiumeve, kishave dhe depove në qendra vaksinimi.

Ky është një model që është përdorur në Evropë dhe Amerikën e Veriut dhe pati efektueshmëri të lartë.

Ideja, të cilën Morrison e ka refuzuar më parë, tani po kërkohet nga ekspertët, Partia e Punës dhe të Riatdhesuarit Aussie të cilët janë vaksinuar në vende jashtë kontinentit.

Profesorja e epidemiologjisë së UNSW dhe këshilltarja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Mary-Louise McLaws shkroi në Twitter se nuk ka asnjë mënyrë që niveli aktual i vaksinimit t’i çojë atje ku shpresojnë të jenë deri në fund të vitit.

Ndërkaq ekspertë të tjerë po bëjnë thirrje, që Australia të afrohet me SHBA-të për të blerë stoku-n e tepërt të vaksinave të saj.

Me një variant tjetër vdekjeprurës që po përhapet (ky deri në tre herë më vdekjeprurës për të rinjtë) dhe dhjetëra mijëra Australianë ende të mbyllur jashtë vendit, përhapja e vaksinave me siguri është problematikë urgjente, sipas fjalëve të një eksperti, “Një garë kundër varianteve”.

E megjithatë qeveria Morrison ende refuzon të pranojë se ekziston një problem. Nëse pranimi është hapi i parë drejt rimëkëmbjes, Australia ka një rrugë të gjatë përpara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore