Kosova

Procedohet në Qeveri koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme


Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është finalizuar dhe proceduar në Qeveri koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Haxhiu ka deklaruar se hartimi i këtij dokumenti hap rrugë për hartimin e projektligjit të pasurisë së pajustifikueshme.

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet i Qeverisë tonë prandaj edhe do ta fuqizojmë bazën ligjore kundër korrupsionit si dhe do fuqizojmë kapacitetet e institucioneve të drejtësisë në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar e korrupsionit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ministrja Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti para marrjes së mandatit kanë premtuar se ndër pikat e para të planit qeverisës do jetë Vettingu.

Dy muaj më parë në një intervistë për Albanian Post, Haxhiu kishte thënë se “do iu konfiskohet pasuria të gjithë atyre që kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme”.

“Në mandatin e kaluar ne kemi punuar në hartimin e koncept-dokumentit për këtë, tani ka mbetur që në bazë të atij koncept-dokumenti, i cili ka qenë edhe publik, të draftohet projektligji dhe të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, kishte thënë Haxhiu.

Ajo pati theksuar se “qëllimi është fuqizimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vendosja e barrës së provës te personi që i kërkohet justifikimi i pasurisë”.

“Po ashtu ne do të punojmë edhe në themelimin e Byrosë së lartë të hetimeve që do të merret vetëm me korrupsionin e nivelit të lartë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore