Pajisje

Problemi i algoritmeve në blerjet online


Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) në Mbretërinë e Bashkuar ka njoftuar se algoritmet e përdorura nga bizneset në internet mund të çojnë në një rritje të çmimit të mallrave dhe shërbimeve.

CMA-ja po heton bizneset të cilat përdorin teknologji në platformat e shitjes pasi blerësit sipas saj mund të “manipulohen” për të blerë artikuj të veçantë, markat e të cilëve favorizohen nga rezultatet e kërkimit.

Sipas BBC, agjensi lajmesh, CMA-ja ka thënë se bashkëpunimi midis bizneseve për të dhënat e konsumatorit dhe shpenzimet që konsumatori kryen, mund të çojë në çmime më të larta të qëndrueshme për produktet dhe shërbimet.

Drejtoresha e shkencës së të dhënave në CMA, Kate Brand, ka shtuar se “algoritmet luajnë një rol të rëndësishëm në internet, por nëse nuk përdoren me përgjegjësi, potencialisht mund të shkaktojnë një dëm të jashtëzakonshëm për konsumatorët dhe bizneset”.

“Shumica e algoritmeve të përdorur nga firmat private në internet i nënshtrohen pak ose aspak mbikqyrjes rregullatore”, ka deklaruar CMA-ja.

Megjithatë, Brand nuk ka anashkaluar as përfitimet dhe anët pozitive të platformës

“Algoritmet mund të ndihmojnë konsumatorët të gjejnë produkte dhe shërbime të përshtatshme, si dhe marrëveshje të mira blerjeje. Gjithashtu, mund të përdoren për të ndjekur dhe monitoruar sjelljet e tyre duke çuar në manipulim”, shtoi Brand./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore