Shqipëria

Problematikat që i zgjidhin të rinjtë


Të rinjtë janë jo rrallëherë opozita më cilësore e secilit pushtet.

Vrulli i tyre dhe mendimet e pacenzuruara për shqetësimet e përditshme i bëjnë më të zotë në zgjidhjen e problematikave.

Të tilla, Tirana i ka disa – mungesa e ujit të pijshëm, e infrastrukturës arsimore dhe e qendrave shëndetësore e atyre multidisiplinare.

Këto ishin disa nga shqetësimet që të rinjtë, pjesë e një projekti social, i diskutuan të premten në mbledhjen e Këshillit Bashkian dhe në zyrën e Erion Veliajt.

Projekti i “Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore” me mbështetjen e Lëviz Albania ka si qëllim konsolidimin e një opozite në dyert e Këshillit Bashkiak të Tiranës me vizionin që kjo iniciativë do të shtrihet edhe në institucionet e tjera të vendit.

Pjesë e trajtesës ishin problemet dhe investimet që duhen në zonat Pezë, Ndroq, Kashar, Baldushk, Dajt, Farkë, Krrabë, Bërzhitë, Petrelë, Vaqarr, Fresku, Kodra e Diellit dhe Astiri.

Në listën e shqetësimeve që të rinjtë e Tiranës ngritën, dominonin kërkesat për investime në infrastrukturën rrugore dhe infrastrukturën publike.

Një nga më kyçet doli të jetë investimi i munguar në infrastrukturë rrugore. U kërkua ndërtimi i çerdheve, kopshteve apo shkollave, të cilat janë në mungesë në këto zona, sidomos institucionet parashkollore.

Qendrat socio-kulturore, qendrat shëndetësore dhe përmirësimi i kushteve së bashku me uljen e çmimit të biletës në transportin publik, i shtohen listës së kërkesave të të rinjve për bashkinë.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti tha se një pjesë e sugjerimeve dhe kërkesave të ardhura nga të rinjtë kanë nisur të gjejnë zgjidhje.

“Një pjesë e rëndësishme e kërkesave janë në fazën e tenderimit dhe përfshijnë kryesisht ndërhyjet në infrastrukturën rrugore dhe atë arsimore”, theksoi nënkryetarja Ruseti.

Konkretisht, sipas saj, në zonën e unazës së re(Astir) do të ndërtohet shkollë dhe kopësht i ri, që do të shoqërohen nga rikonstruksione dhe rindërtime të rrugëve dytësore.

Ruseti, po ashtu, premtoi një kopësht, çerdhe dhe qendër multidisiplinare në Farkë. Ngjashëm edhe për Lagjen 13, ku ajo shton se do të ndërtohet edhe një qendër e re shëndetësore.

Problemet e transportit të nxënësve në fshatrat Mihajas, Crime, Lugë dhe Kusë, që ndjekin mësimet në gjimnazin e Mulletit dhe ndërtimi i qendrës së fshatit Ndroq, po ashtu u përmendën nga nënkryetarja Ruseti.

Lista e premtimeve doli të jetë pothuaj po aq e gjatë sa ajo e kërkesave të të rinjve, të cilët me insistimin e tyre kanë ndikuar në realizimin e një numri projektesh deri tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore