Shqipëria

Problematika e “5 Majit”: PD-ja kërkon seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve


Pas protestës së banorëve për prishjen e banesave në lagjen “5 Maji”, Partia Demokratike (PD) përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve.

Tetë deputetë të PD-së i dërguan të premten e 19 janarit kërkesën zyrtare Kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

Kjo, në përpjekje, sipas tyre, për t’u ardhur në ndihmë banorëve që nuk kanë marrë përgjigje nga asnjë institucion.

Deputetët Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi, Saimir Korreshi, Greta Bardeli, Dashnor Sula, Elda Hoti, Bledion Nallbati vunë në dukje detyrimin e këtij komisioni për të mbrojtur të drejtat e njeriut, posaçërisht të drejtën e pronës për rastin e familjeve në zonën e “5 Majit”.

Në seancë dëgjimore, përveç një përfaqësie të banorëve të prekur, janë thirrur edhe përfaqësues nga disa institucione.

Ndër ta, përfshihet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj apo drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Deputetët e PD-së kërkojnë gjithashtu edhe paraqitjen e dokumentacionit të plotë mbi projektin dhe veprimtarinë e institucioneve mbi pronën e qytetarëve.

Ndërtimi i ngjarjes

Të mërkurën e 19 janarit, banorët e “5 Majit” dolën në protestë për të kundërshtuar shembjen e banesave.

Kauzës së tyre iu bashkuan dhe deputetë të Partisë Demokratike.

Në mbështetje të banorëve, shkuan deputeti Klevis Balliu, i cili ka qenë edhe në protestat e banorëve të Astirit dhe Ervin Minarolli, të dy nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

Gjithashtu aty u gjend edhe deputetja Dhurata Çupi.

Banorët refuzuan për orë të tëra shembjen e banesave – që u krye nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Në disa momente u regjistruan dhe përplasje fizike mes qytetarëve dhe efektivëve të Policisë.

Bashkia e Tiranës kishte njoftuar se do të prisheshin tre banesa.

Banorët janë kundër prishjes së banesave të tyre, pasi shprehen se ende nuk janë dakordësuar me shtetin për këtë hap.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore