Sport

Pritet si kampione e Evropës Luiza Gega


Atletja shqiptare Luiza Gega, e cila është shpallur së fundmi edhe si kampione e Evropës në garën e 3 mijë metrave me pengesa, është pritur ngrohtësisht nga qytetarët e kryeqytetit dhe nga kryeministri Edi Rama, pas rezultatit historik  të arritur.

Me një ceremoni zyrtare, shoqëruar nga banda e Ushtrisë dhe një veturë e kuqe, porsi flamuri kuqezi, Gega marshoi në gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri në godinën e Kryeministrisë, duke u duartrokitur e brohoritur nga qytetarët.

Me lot në sy, ajo i ka përshëndetur mbështetësit, duke valëvitur flamurin shqiptar.

Menjëherë me mbërritjen në Kryeministri, kreu i Qeverisë, Edi Rama, i zgjati asaj një buqetë simbolike dhe e ftoi brenda godinës, ku fjalën i pari e mori kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, i cili performancën e Luizës e vlerësoi maksimalisht, por edhe politikat që shteti ka ndjekur për mbështetjen e sportistëve.

“Jemi një ndër tre shtetet në botë me një ligj kaq të mirë për sportistët”, theksoi Ylli. “Sot sportistët tanë shpërblehen më shumë se kurrë. Ata janë pjesë e Forcave të Armatosura, i kanë kushtet për t’u stërvitur si duhet”.

Mbi të gjitha, Ylli pati edhe një kërkesë specifike për kryeministrin, duke i thënë se mbështetja ndaj sportit duhet të jetë shumë më e madhe dhe investimet, më të shumta.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit nga ana tjetër, vlerësimin për Luizën, e ka kaluar edhe në aspektin monetar, pasi ajo do të përfitojë nga shpërblimet e Qeverisë për çdo medalje të fituar.

“Kjo arritje të lë pa fjalë”, tha nga ana tjetër kryeministri Rama, i cili njëkohësisht kishte ftuar të qëndronte në ceremoninë e fitores së Gegës edhe ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, të cilës iu drejtua, duke i thënë se këtë herë, është Shqipëria, ajo e cila e ka lënë Gjermaninë në vendin e dytë, referuar atletes gjermane që mori medalje bronzi në Kampionatin Evropian dhe origjinës së Hohmann.

Fitorja e Gegës, sipas kreut të Qeverisë, është një dëshmi për të gjithë brezat, se Luiza është jo vetëm një kampione në fushë, por një pararendëse në këtë disiplinë.

Sfilitja, gjaku, djersët dhe lotët.

Këto janë katër fjalët kyçe, sipas Ramës, duke iu referuar ish-presidentit amerikan, Winston Churchill dhe duke përshkruar se pa këto të katërta nuk ka sukses, por njëkohësisht nuk ka asgjë të pamundur për t’u arrirë, deri në lojë vihen të katërta këto.

Në përmbyllje të fjalës së tij, e ka dekoruar Gegën me medalje, por ka nënvizuar se asnjë shpërblim, nuk krahasohet me atë çfarë Luiza vetë i ka thënë Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

“Sot ndihem më krenare se kurrë”, tha nga ana tjetër Gega, teksa dekorohej nga kryeministri, duke përmendur sakrificat që familja e saj ka bërë për të në kaq vite mund, së bashku me trajnerin, i cili ka besuar në punën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore