Lajme

Prishtinë: Ujësjellësi tregon zonat që do të mbesin pa ujë deri të shtunën


KRU "Prishtina"

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se dy zona të Prishtinës do të mbesin pa ujë të pijshëm deri të shtunën në orët e paradites.

Sipas kompanisë së ujësjellësit bëhet fjalë për një pjesë të ndërtesave në lagjet Dardania dhe Lakërishte.

“Zonat që do të mbesin pa ujë të pijshëm janë dy hyrje banesore në lagjen ‘Dardania’ (hyrjet mbi orën e kurrizit), soliteri në lagjen ‘Lakërishtë’ dhe ndërtesat e ulëta në anën e majtë të Procredit Bank”, thuhet në njoftim.

Punimet në sanimin e një linje thuhet se është arsyeja se pse do të ketë ndërprerje të ujit.

“Arsyeja e shtyrjes së gjysmës së punimeve në sanimin e linjës AC me diameter 200 mm, është rrezikshmëria nga shembja e dheut për punëtorët e mirëmbajtjes për shkak të thellësisë së madhe të pozicionimit të gypit”, thuhet në njoftimin e KRU-së.

Ndërsa KRU “Prishtina” bënë të ditur se të gjitha zonat e tjera të cekura në njoftimin paraprak, tashmë kanë furnizim me ujë të pijshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore