Kosova

Prishtinë: Përparim Rama prezanton një pjesë të kabinetit qeverisës


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, Përparim Rama ka prezantuar një pjesë të ekipit të tij me të cilët do të drejtojë Komunën e Prishtinës.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Rama ka bërë të ditur se nënkryetar i kryeqytetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të jetë ish shefi i shtabit i fushatës së tij zgjedhore, Alban Zogaj.

Shef kabineti do të ketë Vllaznim Osmanin, Drejtor të Urbanizmit, Arbër Sadikin, Drejtoreshë të Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Mimoza Sylejmanin, Drejtor të Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Krenar Xhaferin, Drejtoreshë të Pronave, Doruntinë Malokun, Drejtor të Kadastrit, Donat Lushakun dhe Drejtoreshë të Mirëqenies Sociale, Adelina Sahitin.

Në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë, Rama ka vendosur ta ketë Izet Sadikun, Drejtoreshë të Financave, Valbona Makollin, Drejtor të Inspeksionit, Florian Dushin, Drejtoreshë të Parqeve, Donika Çetta, Drejtor të Administratës, Bersant Beka.

I pari i kryeqytetit ka prezantuar edhe disa këshilltarë të cilët do të punojnë në kabinetin e tij.

Këshilltare për Kulturë, Vesa Sahatçiu, Këshilltare për Qeverisje të Mirë, Ermira Gjevorin, Këshilltare për Komunikim Strategjik, Hana Xhemajlin, Këshilltar për Shëndetësi, Saudin Maliqin, Këshilltar për Sport, Bardh Krasniqin, Këshilltare për Media, Jonada Jasharin dhe  Këshilltare për Transformim Digjital dhe Smart City, Teuta Sahatqija.

Rama në postimin e tij ka shkruar se ekipi i tij do të kompletohet së shpejti.

“Javën tjetër, ekipi do të plotësohet tutje”, ka shkruar ai.

Rama ka arritur një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për të qeverisur me kryeqytetin.

Ende nuk dihet se kush do të jenë drejtorët komunal nga radhët e PDK-së dhe emri i nënkryetarit të dytë të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore