Përballje

Prishtina luan finalen e raundit preliminar në Ligën e Kampionëve


Pasi mposhtën kampionin e San Marinos, Folgore, tani Prishtina do të luajë finalen e raundit preliminar të Ligës së Kampionëve, kundër kampionit të Andorrës, Inter Escaldes.

Ndeshja do të fillojë në ora 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena” në qytetin e Elbasanit.

Kampioni në fuqi i Kosovës synon që ta fitojë këtë finale për të kaluar në rrethin e parë të garës më të madhe evropiane për klube.

Ndeshjen e parë ndaj Folgore, bardhekaltërit e dominuan tërësisht, mirëpo pak sa me vështirësi e gjetën rrugën e rrjetës.

Endrit Krasniqi në minutën e 51-të dhe Mendurim Hoti në minutën e parë të lojës shtesë, shënuan për Prishtinën në atë ndeshje.

Ndërsa, Inter Escaldes për të arritur në finale, mposhti kampionin e Ishujve Faroe, HB Torshavn me rezultat minmimal 0:1.

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, tha se me përqendrim pak më të mirë se në ndeshjen e kaluar, mund t’ia dalin në këtë sfidë.

“Shpresojmë në rezultat pozitiv dhe nëse do të kemi angazhim të njëjtë dhe përqendrim pak më të mirë se në ndeshjen e kaluar para portës, atëherë besoj se mund të realizojmë më shumë gola se në ndeshjen e parë”, tha trajneri i Prishtinës.

Edhe futbollisti, Besnik Kransiqi, u shpreh shumë i motivuar për këtë ndeshje, duke thënë që nëse shfaqin lojën e tyre në fushë, do t’ia dalin.

“Edhe pse nuk e njohim kundërshtarin, ne do të hyjmë në këtë përballje që të shfaqim lojën tonë. Jemi shumë të motivuar dhe do të japim maksimumin për ta fituar këtë sfide dhe të kalojmë tutje”, tha mbrojtësi bardhekatër.

Në këtë përballje, te Prishtina vazhdon të mungojnë Leonit Abazi, Bleart Tolaj, kurse është rikthyer nga suspendimi Leutrim Bekteshi.

Kujtojmë që në rast të fitores, Prishtina do të kualifikohet në raundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me kampionin e Hungarisë, Ferencvaros.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore