Lajme

Prindërit evropianë të shqetësuar për vaksinimin e fëmijëve


Rritja e infeksioneve nga Omicron-i në të gjithë Evropën ka sjellë përpjekjen për të vaksinuar fëmijët e moshës pesë deri në 11 vjeç kundër COVID-19.

Mirëpo, kjo përpjekje e vaksinimit të fëmijëve e ka ndarë në dy kampe opinionin publik.

Paçka se disa prindër mirëpresin mundësinë për të mbrojtur të vegjlit e tyre, të tjerët nuk janë të bindur për përfitimet e saj në shëndetin e tyre.

Sondazhet rajonale të opinionit tregojnë se, 70 për qind e prindërve në Danimarkë dhe Spanjë, planifikojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre më të vegjël.

Ama vetëm 40 për qind prej tyre janë pro kësaj në Gjermani, Itali dhe Holandë, tregon agjencia e lajmeve “Financial Times”.

Deri më tani, vaksinimi nuk është i detyrueshëm për fëmijët dhe asnjë vend nuk ka kërkuar që fëmijët e moshës pesë deri në 11 vjeç të vaksinohen.

Megjithatë, qeveritë kanë marrë qasje të ndryshme për vaksinimin e tyre.

Disa, duke përfshirë Danimarkën, Francën, Spanjën dhe Italinë, rekomandojnë që të gjithë fëmijët të marrin injeksion, ndërsa Britania e Madhe zgjedh të imunizojë vetëm fëmijët e cenueshëm.

Ngado Evropës, mungesa e një mesazhi të përbashkët nënkupton një hendek për të bindur prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre.

Kjo e privon rajonin nga një mjet për të luftuar rritjen e fundit të infektimeve me virusin e ri.

Ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar kanë hezituar të provojnë vaksinimin e tyre sepse fëmijët vuajnë nga simptoma më të lehta dhe kanë shumë më pak gjasa të shtrohen në spital.

Të tjerë argumentojnë se ata ende kanë nevojë për mbrojtje, veçanërisht kur përhapja e virusit është aq e lartë sa tani.

Në nëntor, agjencia e barnave të BE-së miratoi vaksinën BioNTech/Pfizer për fëmijët nga pesë deri në 11 vjeç, pas miratimit për fëmijët më të rritur në maj.

Në SHBA, një nga vendet e para që vaksinoi fëmijët më të vegjël, marrja e këtyre dozave ka qenë e ngadaltë dhe ndryshon shumë nga shteti në shtet.

Që nga fillimi i nëntorit, veç 22 për qind e moshave pesë deri në 11 vjeç kanë marrë të paktën një dozë.

Ndërkaq, zyrtarë të shëndetit publik u kanë kërkuar prindërve të veprojnë, sepse disa fëmijë zhvillojnë raste serioze dhe varianti Omicron mund të prekë më shumë prej tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore